Tryeza e Partisë Demokratike me partitë opozitare dhe shoqërinë civile duket se e ka përçarë më tej opozitën. Alfred Lela, drejtor i komunikimit dhe zyrës së shtypit në Partinë Demokratike, ka sulmuar dhe ironizuar përmes një editoriali panelistët në tryezë që kritikuan opozitën nën drejtimin e Sali Berishës.
“Thënë shkoqur: kanë gojë dhe gjuhë, kanë faqe në rrjete, podcaste nëpër dhoma gjumi, japin mësim në semiuniversitetet e Tiranës apo rretheve, por nuk janë intelektualë. Pra, nuk krijojnë. Përsërisin të njëjtat klishe, të njëjtat imazhe, të njëjtën butafori të mendjes dhe veprimit. Kur e shohin se nuk ngjisin në mainstream, hidhen në tregjet e konspiracionit. Qëllimi është një: të futen në qendër përmes ekstremeve, pra jo përmes krijimit, por habishkaktimit”, shkruan Lela.
Pas editorialit të Lelës, ka reaguar ashpër analisti Shpend Gashi, drejtues i emisionit “Oponencë”, i cili mori pjesë në tryezën e PD-së (Berishës). Qëndrimin kritik dhe ironizues të Lelës për disa të ftuar në takimin e Berishës, Gashi e ka konsideruar si një sulm ndaj tij.
“Një person-diarre, lëtyrë e neveritshme, arsyeja që marketingu (P.R.) është përtokë e që ka funksion mediatik në PD, ishte munduar të më sulmonte përmes një shkrimi! Shkrim i dobët, njëjtë si përmbajtja e tij, i cekët, malinj dhe i paburrë, me shumë mundësi i shkruar me ChatGPT, sikurse edhe libri i tij i vetëm. Nuk mund ta bënte ndryshe, pasi një herë e një kohë ky ‘zonjusha velvet’ që u bë burrë kur hoqi pantallonat, ishte tmerri i redaktorëve, ngaqë u duhej të ribënin shkrimin, aq idiot dhe i paaftë siç ishte dhe është. Në privat, ia kam çuar mesazhin te vrima që e meriton! Në publik, po e përmbaj veten se ma kanë kërkuar shumë miq, por i them që: Ti dhe ata/ato të tjerë që pengojnë, zhurmojnë, largojnë opozitarët e vërtetë, ju vjen dita dhe nata bashkë… Intelektualizmin tim e tregojnë njerëzit që më vijnë në podcast, shkencëtarë, pedagogë 40 vite, autorë dhe audienca e mrekullueshme, kurse këtij prezervativit shumëpërdorimshëm, në botimin e vëllimit poetik alla BALLERINA i erdhën vetëm përfaqësuesit e departamenteve të PD-së! Shnet, vemje! Do përballemi së shpejti! Gjenetikisht superior, o idiot! Fiksoje këtë! Tung!”, shkruan Gashi.
Editoriali i plotë i Alfred Lelës me titull: “Tryeza e opozitës dhe trapezat kontestatorë”
Që Shqipëria është plot me ‘intelektualë’, të cilët mbahen të tillë, edhe pse librin e fundit e kanë lexuar kur kanë qenë në universitet — dhe ka qenë tekst shkollor — kjo dihet. Apo se, këtu te ne, ‘intelektual’ quhet kushdo ka një diplomë universiteti — edhe pse këto janë bërë si injeksionet botox, të cilat tashmë i ofrojnë edhe dentistët — dihet gjithashtu.
Çka nuk dihet, dhe as dallohet, është se një intelektual (publik) është i tillë mbi tri premisa: i lidhur me veprimtari krijuese (dhe e ushtron këtë në shtyp, arte apo universitet); ka një zë publik, pra nuk është mendimtar ‘i kullës së fildishtë’; dhe, së treti, e përputh idealin e fjalës me atë të veprimit.
Tani nga maja e teorisë zbresim në fushën e praktikës, te tryeza e dialogut, thirrur nga udhëheqësi i opozitës, Sali Berisha, dhe te reagimi i ‘intelektualëve’ përkundër saj. Fjalën intelektual do ta përdor në thonjëza, sepse të gjithë reaguesit, përjashto Lubonjën, i klasifikoj (mos ma falni paragjykimin!) si prole të fjalës, një farë që e ka mbjellë interneti me gjithësinë, paanësinë dhe rrjetësinë (world wide web). Thënë shkoqur: kanë gojë dhe gjuhë, kanë faqe në rrjete, podcaste nëpër dhoma gjumi, japin mësim në semiuniversitetet e Tiranës apo rretheve, por nuk janë intelektualë. Pra, nuk krijojnë. Përsërisin të njëjtat klishe, të njëjtat imazhe, të njëjtën butafori të mendjes dhe veprimit. Kur e shohin se nuk ngjisin në mainstream, hidhen në tregjet e konspiracionit. Qëllimi është një: të futen në qendër përmes ekstremeve, pra jo përmes krijimit, por habishkaktimit.
Pse, këta ‘intelektualët’, e kapën me tryezën e opozitës, secili nga këndi i vet i fandaksjes? Sepse ata i presin krizat si shpëtimtare për rolin e tyre, shpresojnë se nëpër trazirat e tyre do kalojnë nga margjinat në qendër. Instinktin e kanë të saktë: vetëm krizat mund t’i shpëtojnë ekstremistët; në momente qetësie ata nuk janë më shumë se një lëmsh psikologjik që kërkon të çtirret diku. Duke e perceptuar opozitën në krizë, ata hutohen kur nuk i thërrasin me emër të përveçëm, publikisht, që të begenisin tryezën, jo si të barabartë, jo si veprimtarë, por si shpëtimtarë. Në kokën e kokolepsur kanë ravijëzuar një aula magna ku, edhe në mos qofshin në krye, rrumbullakësia e tryezës u krijon iluzionin se janë. Është ëndrra e gomerëve që e dinë veten për kalorës, rrjedhimisht në tryezën primus inter pares me Mbretin Artur.
Po t’i vësh re reagimet e tyre, alogjike siç janë ekstremitetet, përvijonin një ankesë sipas së cilës në tryezë i ftonka Sali Berisha dhe kjo i ftohka! Ou?! Pse, kush duhet t’i ftonte? Pëllumbi, recepsionisti i Partisë Demokratike? Fryma e Shenjtë? Donald Trump d.v.?
Nuk është ftesa dhe forma e saj që i shqetëson, është nevoja për të krijuar dhe luftuar një betejë imagjinare, për të pasur mullinj që fryjnë erë për balonat e iluzioneve të tyre. Ashtu të trandur, fantazojnë për horizontet ku duhet të shkojë trupa e madhe opozitare, dhe vertikalet që duhet të bëjë për të mbërritur aty.
Njëri thotë: më ftuan, por nuk shkova. Tjetri: më ftuan, shkova, por nuk më pëlqeu, se tryeza ishte drejtkëndëshe, jo si e Mbretit Artur, ku mua, ngado të më kthesh, do të isha në qendër. Dhe këtu vijmë te dallimi mes njerëzve aksidente publike dhe intelektualëve: raporti i tyre me qendrën. Të parët, ngaqë nuk e përballojnë dot vetminë dhe inkoherencën, me qendër kuptojnë veten dhe fanepsjet e tyre. Të dytët, duan të çojnë në qendër idetë, por janë mirë edhe kur qendra rrotullohet rreth idesh të tjera. Fanepsjet e tyre nuk i shohin si ide për të gjithë, por si pjesë e procesit krijues të brendshëm. Nëse nuk pranohen, vijojnë me gjëra të tjera.
Nuk kërkoj që shija ime për këta ‘intelektualë’ t’u thotë gjë. Por kontrasti i tyre me të tjerë në tryezë duhet t’u shpjegojë diçka. Ndër të munguarit e njëqind e një tekave, të blerët e një mijë e një llogarive, spurdhjakët e një milion e një ‘do dalim ku të vija e mbrothët koha’, u sollën në qendër të fandaksurit në kërkim të qendrës. Në tryezë qenë dhjetëra njerëz të proceseve krijuese, secili në lëmin e vet: artistë, autorë, gazetarë, sipërmarrës, aktivistë, klerikë etj.
Asnjë nuk u theksua, sepse u vunë, si përherë, në pasqyrat e tyre fytyrat e gaztorëve, Olios e Stelios. Fakti që u ndihmuan në ngritjen e këtij perceptimi edhe nga këta ‘intelektualët e hurit dhe të litarit’, dëshmon se aleanca e banalitetit triumfon më lehtë në epokën e internetit.
Mund të mos e ndalim, por të paktën mund ta shpjegojmë dhe ironizojmë.