Kryebashkiaku i Vorës, Blerim Shera, akuzohet për një tjetër tender të dyshimtë, duke i kaluar 431 milionë lekë biznesmenit Asllan Hastoçi përmes një procedure fiktive e me fitues të paracaktuar.
Kryetari i Bashkisë Vorë, Blerim Shera, pavarësisht se ka tre dosje të hapura në SPAK, duket se nuk e ndal ritmin e tenderave të dyshimtë. Sipas burimeve, tenderi i fundit është zhvilluar vetëm për të formalizuar dokumentet, pasi marrëveshja me fituesin ishte bërë paraprakisht.
Bëhet fjalë për projektin e “Rikonstruksionit të Rrugës Alvora”, me një fond limit prej 43,188,079 lekësh pa TVSH, financuar nga buxheti i bashkisë dhe fituar nga kompania “Hastoçi” shpk. Kjo kompani është raportuar nga KLSH për mashtrime në zbatimin e kontratave publike.
Tenderi, i hapur më 7 gusht 2025 dhe i mbyllur pas dy javësh, është shënuar me “Flamur të kuq” nga Open Data Albania, që nënkupton rrezik të lartë korrupsioni. Nga të gjitha ofertat, u skualifikuan të gjitha përveç asaj të Hastoçit, madje edhe ajo me çmimin më të ulët.
Sipas të dhënave, konkurrenca në tender ishte thjesht formale. “Hastoçi” shpk garoi përballë “BE-IS” shpk, në pronësi të oligarkut të ndërtimit Hamz Islamaj, një partner i tij në tendera të mëparshëm. Dy kompanitë kanë fituar së bashku edhe projekte të tjera, si ai për ndërtimin e rrjetit të jashtëm të ujësjellësit në Këlcyrë, me vlerë 1.5 miliardë lekë, gjithashtu me “Flamur të kuq”.
Në tenderin e rrugës “Alvora”, “BE-IS” bëri një ofertë anormalisht të ulët, duke ia lehtësuar fitoren Hastoçit. Më 3 shtator 2025, Shera urdhëroi shpalljen e fituesit, duke vulosur marrëveshjen me paratë e bashkisë.


Por problemi nuk mbaron këtu. Pyetja që shtrohet është nëse Shera dhe komisioni e verifikuan kapacitetin e kompanisë fituese. “Hastoçi” shpk është aktualisht e mbingarkuar me kontrata të tjera publike, gjë që mund të cenojë cilësinë dhe afatet e punimeve.
Ndër projektet e saj aktive është edhe kontrata për “Rivitalizimin e Rezidencës Qeveritare, Vila Dajt”, me vlerë mbi 619 milionë lekë pa TVSH, që zgjat 27 muaj dhe kërkon angazhim të plotë të mjeteve dhe stafit.
Po ashtu, një ditë pas marrjes në pyetje në SPAK për korrupsion, Hastoçi ka nënshkruar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit një tjetër kontratë gjigante për lyerje fasadash, me vlerë mbi 422 milionë lekë me TVSH, pjesë e programit “100 Fshatrat”. Edhe ky tender ishte i qepur sipas porosisë, me fond limit të përcaktuar paraprakisht.
Pavarësisht shkeljeve dhe dyshimeve të shumta, Shera nuk e ka problem nëse rrugët bëhen me vonesë apo me cilësi të dobët, duke shpërndarë miliona nga buxheti publik në duart e të njëjtëve përfitues.