Plakja është një proces natyror që fillon që në momentin e lindjes dhe vazhdon gjatë gjithë jetës.
Sipas studimeve, para moshës 25 vjeçare, trupi ka aftësinë për t’u rigjeneruar dhe rimëkëmbur në disa nivele, ndërsa plakja e vërtetë nis rreth moshës 40 vjeçare. Megjithatë, shumë herë mendohet se plakja fillon me shfaqjen e rrudhave dhe humbjen e elasticitetit të lëkurës, por ky është vetëm një nga simptomat që ndodhin më vonë.
Ndër shenjat e para që tregojnë për procesin e plakjes janë reagimet fizike dhe mendore që ngadalësohen me kalimin e kohës. Një prej indikacioneve më të qarta të plakjes është ngadalësimi i shërimit të plagëve, çarave dhe mavijosjeve. Ndryshe nga rinia, kur lëkura ka aftësi rigjeneruese të shpejtë, me kalimin e viteve ky proces ngadalësohet dhe plagët shërohen më vonë.
Një tjetër shenjë e plakjes është vështirësia në mbajtjen e pesha. Kur arrijmë në moshën 20 vjeçare, mund të mbajmë peshë pa vështirësi, por ndërsa plaket trupi, masa muskulare tkurret, duke ndikuar jo vetëm tek fuqia fizike, por edhe qëndrueshmëria e trupit. Shikimi gjithashtu ndryshon me moshën, pasi pas të 40-ave, shumë njerëz humbasin aftësinë për të përqendruar shikimin afër dhe shpesh nevojitet të përdoren syze për të lexuar.
Ndryshimet në peshë janë gjithashtu një tregues i qartë i plakjes. Shtimi në peshë, veçanërisht rreth barkut, është një fenomen i zakonshëm me kalimin e viteve, por ky problem mund të kontrollohet përmes ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik. Rritja e plogështisë dhe ngadalësimi i shpejtësisë së ecjes janë gjithashtu shenja që lidhen me plakjen. Kjo ka të bëjë me ngadalësimin e punës së muskujve dhe transmetimit të impulseve nervore.
Mungesa e ekuilibrit është një tjetër shenjë që mund të fillojë të shfaqet pas moshës 80 vjeçare. Në moshën e re, është e mundur të qëndrosh pa u mbajtur, me sytë mbyllur, për të paktën 20 sekonda, ndërsa me kalimin e kohës kjo aftësi zvogëlohet. Edhe forma e ballit ndryshon me plakjen, duke u bërë më e sheshtë dhe duke dhënë një pamje të plakur, pa mundësi për t’u maskuar as me ndihmën e procedurave estetike.
Buzët gjithashtu ndryshojnë me kalimin e viteve, duke humbur ngjyrën natyrale dhe formën. Zona poshtë hundës dhe sipër buzës bëhet më e sheshtë, një ndryshim që shoqëron plakjen dhe që është shumë më i dukshëm kur krahasohet me vitet e rinisë.
Një tjetër simptomë e plakjes që shpesh injorohet është humbja e entuziazmit për aktivitete që dikur e bënin individin të lumtur. Ky ndryshim mund të ngjajë me simptomat e depresionit, dhe shpesh njerëzit përpiqen të justifikojnë mungesën e dëshirës për të dalë ose për të shijuar jetën. Megjithatë, për të dalë nga ky gjendje, është e rëndësishme që individët të rinovojnë pasionet dhe të kujdesen për shëndetin mendor dhe fizik.