Prokuroria e Elbasanit ka zgjeruar hetimet për shembjen e aksit Librazhd–Prrenjas, një ngjarje që për disa ditë bllokoi qarkullimin në juglindje të vendit dhe krijoi vështirësi të mëdha për qytetarët.
Në kuadër të hetimit, organi i akuzës i ka kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) të dorëzojë të gjithë dokumentacionin që lidhet me procedurat e prokurimit për mirëmbajtjen e këtij segmenti rrugor.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, materialet pritet të vihen në dispozicion brenda një jave, pasi bëhet fjalë për një volum të konsiderueshëm dokumentesh.
Hetimi është fokusuar në mënyrën se si është zhvilluar procedura e tenderit të mirëmbajtjes, si dhe në termat e kontratës së lidhur mes ARRSH dhe kompanisë që ka fituar këtë kontratë.
Nga të dhënat e Open Data rezulton se tenderi për mirëmbajtjen e aksit është fituar nga kompania “InfraKonsult”, në pronësi të Redi Strugës. Sipas verifikimeve paraprake, dyshohet se kompania nuk ka përmbushur detyrimet kontraktore, një element që po analizohet në lidhje me shembjen e segmentit rrugor.
Grupi hetimor po shqyrton gjithashtu edhe mënyrën e ndërtimit të rrugëve provizore, të cilat përdoren për qarkullim të përkohshëm deri në përfundimin e punimeve në aks.
Një tjetër pjesë e hetimit lidhet me lejet për nxjerrjen e inerteve në lumin Shkumbin dhe zbatimin e tyre, pasi është konstatuar se në disa zona lumi është shfrytëzuar në mënyrë intensive.
Prokuroria po heton për disa vepra penale, mes tyre “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrim i rrugës” dhe “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.
Edhe pse qarkullimi në këtë segment është rikthyer në normalitet, autoritetet theksojnë se problemi mbetet i pranishëm, pasi për disa ditë rruga ishte e bllokuar për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës.