Shembja e godinës ushtarake në Beograd

Parlamenti serb miratoi shembjen e godinës së bombarduar nga NATO, duke i hapur rrugën projektit luksoz të familjes Kushner në Beograd.

Parlamenti në Serbi ka votuar për t’i hequr statusin e mbrojtjes ndërtesës së ish-Shtabit të Përgjithshëm, e cila u shkatërrua gjatë fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999. Me këtë vendim, hapet rruga për zhvillimin e një kompleksi hotelesh dhe apartamentesh të lidhur me familjen e Jared Kushner, dhëndrin e ish-Presidentit amerikan Donald Trump.

Projekti, i vlerësuar rreth gjysmë miliard dollarësh, kishte mbetur në ngërç pas akuzave për korrupsion ndaj zyrtarëve serbë që e mbështetnin atë. Sidoqoftë, shumica parlamentare e Partisë Progresive Serbe ka zgjedhur të përdorë kompetenca të posaçme kushtetuese për të ecur përpara.

Debati parlamentar u shoqërua me kundërshtime të forta nga studentë, juristë, ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe opozita politike. Ata paralajmërojnë se shembja e kësaj ndërtese përbën fshirjen e një pjese të memorjes historike të vendit.

Kundërshtarët e akuzojnë Presidentin Aleksandar Vuçiç se po përdor projektin për të forcuar lidhjet politike me administratën Trump, në një kohë kur Serbia ndodhet mes presioneve të Moskës dhe Perëndimit. Në të kaluarën, SHBA vendosi një tarifë 35% mbi disa produkte serbe, ndërsa sanksionet ndaj Rusisë kanë ndikuar drejtpërdrejt ekonominë serbe.

Mbështetësit e projektit argumentojnë se godina e braktisur nuk ka pasur plan funksional për rikonstruksion dhe se investimi do të sjellë zhvillim turistik dhe ekonomik. Deputeti Milenko Jovanov theksoi se Serbia duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për të “hapur vendin ndaj investimeve strategjike.”

Nga ana tjetër, deputetja e opozitës Marinika Tepić e quajti ndërtesën “një monument të rezistencës dhe kujtesës kombëtare.” Sipas saj, kthimi i saj në një kompleks luksoz synon vetëm t’i bëjë qejfin Donald Trumpit dhe investitorëve të tij.

“Dikur këtu binin bomba. Sot doni të derdhni shampanjë për turistët elitë,” tha Tepić gjatë seancës, duke shkaktuar tension në sallë.

Ndërtesa u projektua në vitet ’60 dhe konsiderohej një vepër e rëndësishme e arkitekturës moderniste jugosllave. Pavarësisht gjendjes së shkatërruar, ajo ka mbetur një simbol i një epoke të trazuar, veçanërisht për shqiptarët e Kosovës që e kujtojnë atë si pjesë të makinerisë ushtarake serbe gjatë konfliktit.

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim për përdorimin e mekanizmave të jashtëzakonshëm nga qeveria serbe, duke paralajmëruar se kjo qasje rrezikon të dobësojë më tej sundimin e ligjit dhe proceset demokratike.

Serbia është ende në proces negociatash drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i cili prej më shumë se dhjetë vitesh mbetet i ngadalësuar për shkak të mosreformimit të institucioneve dhe tensioneve politike të brendshme.

Ligji i miratuar pritet të hyjë në fuqi ditën e shtunë, duke i hapur rrugë shembjes së menjëhershme të objektit. Ndërkohë, protestat kundër qeverisë së Vuçiçit pritet të vazhdojnë, me kritikët që thonë se kjo çështje është vetëm një tjetër shenjë e kapjes së shtetit.

Në Beograd, ndarja mes kujtesës historike dhe interesave të kapitalit të huaj mbetet temë e ndezur dhe ende pa zgjidhje të qartë.

Ndaj Postimin: