Shembja e aksit Librazhd–Prrenjas: milionat e tenderëve dhe pyetjet që mbeten pa përgjigje

Shembja e rrugës nacionale Librazhd–Prrenjas ka bllokuar Juglindjen e vendit, duke paralizuar tregtinë me Maqedoninë e Veriut dhe pjesërisht me Greqinë. Pasojat ekonomike rëndojnë mbi banorët dhe bizneset, ndërsa reagimi institucional është kufizuar kryesisht në deklarata publike.

Autoritetet kanë atribuar situatën reshjeve intensive, erozionit lumor dhe saturimit të masivit të tokës. Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, deklaroi se rrëshqitja masive lidhet me ndikimin e reshjeve të zgjatura, një qëndrim i mbështetur edhe nga përfaqësuesi i Shërbimit Gjeologjik.

Megjithatë, çështja ka ngritur pikëpyetje mbi procesin e projektimit, tenderimit dhe ndërtimit të segmentit ku ndodhi shembja.

Në fund të vitit 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fituesit e tenderit për projektimin e segmentit “dalje Elbasan – Prrenjas – Qafë Thanë”. Procedura ishte “shërbim konsulence”, me fond limit 53 milionë lekë dhe afat realizimi 9 muaj. Fitues u shpallën “INFRAKONSULT” & “HMK-Consulting”.

Sipas dokumentacionit teknik, studimi gjeologo-inxhinierik kishte për qëllim vlerësimin e karakteristikave fizike dhe mekanike të dherave dhe shkëmbinjve në korridorin e projektit, si dhe analizën e kushteve gjeologjike dhe hidrogjeologjike për të identifikuar fenomenet që lidhen me projektimin. Dokumentet përfshijnë raportin topografik, preventivin, raportin gjeologjik, hidraulik dhe hidrologjik, si dhe raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Në fund të dokumentit figuron emri i drejtuesit ligjor të kompanive projektuese, Redi Struga.

Në fund të vitit 2023, ARRSH shpalli fituesin për ndërtimin e lotit 4 të aksit Elbasan–Qafë Thanë. Kompania “A.N.K.” fitoi tenderin me vlerë 2.5 miliardë lekë, mbi 25 milionë euro sipas kursit aktual, me afat punimesh 24 muaj. Kontrata u lidh në vitin 2024.

Pronari formal i kompanisë është Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS-së Ndue Kola. E njëjta kompani ka ndërtuar edhe segmentin Korçë–Ersekë, ku më parë janë raportuar shembje në Qafën e Qarrit.

Dokumentet zyrtare përmbajnë emra inxhinierësh, vlera të akorduara dhe zyrtarë përgjegjës për projektimin, ndërtimin dhe mbikëqyrjen. Roli dhe përgjegjësitë eventuale ligjore, penale apo administrative mbeten në kompetencë të institucioneve ligjzbatuese.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033