Një situatë e rëndë është konstatuar përgjatë linjës hekurudhore ekzistuese Elbasan–Librazhd, ku një urë rezulton të jetë shembur pothuajse totalisht.
Ngjarja është evidentuar dhjetëra metra në krah të aksit kombëtar Elbasan–Librazhd, në afërsi të urës së re automobilistike në hyrje të kthesave të Murrashit. Zona ndodhet rreth 12 kilometra larg segmentit të dëmtuar në Dragostunjë, ku më herët u regjistrua shembja e një pjese të infrastrukturës hekurudhore.
Pamjet nga terreni tregojnë dëmtime të rënda në strukturën e urës, ndërsa toka përreth ka pësuar çarje dhe rrëshqitje në disa pjesë, duke ngritur shqetësime për stabilitetin e zonës.
Gjendja paraqet rrezik potencial nëse procesi i shembjes vijon ose përshkallëzohet për shkak të lëvizjeve të mëtejshme të tokës.
Deri në këto momente nuk ka pasur njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për situatën, masat e marra apo vlerësimin e riskut për zonën përreth.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë segment kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe transparencë institucionale, ndërsa dëmtimet janë evidentuar në një kohë kur po kryhen punime për zgjerimin e rrugës, pjesë e Korridorit Tetë.