Shehaj sulmon Ramën pas debatit me Farage: Nuk është mbrojtës i emigrantëve, por shkaktari i largimit të tyre

Agron Shehaj akuzon kryeministrin për propagandë dhe manipulim mediatik, duke e cilësuar si përgjegjësin kryesor për valën e emigracionit nga Shqipëria

Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama pas debatit të këtij të fundit me ministrin britanik Nigel Farage. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj e ka akuzuar Ramën si shkaktarin kryesor të emigracionit masiv të shqiptarëve në dekadën e fundit.

Sipas tij, deklaratat e Ramës për mbrojtjen e emigrantëve janë thjesht pjesë e një fushate të organizuar mediatike, që ka për qëllim të fshijë përgjegjësitë reale të qeverisë për largimin masiv të qytetarëve nga vendi. Shehaj thotë se Rama nuk po del në krah të emigrantëve, por po përpiqet të shfaqet si mbrojtës i tyre përmes manipulimit të opinionit publik.

“Edi Rama është shkaktari i emigracionit dhe sot ka guximin të sillet si hero i emigrantëve. Kjo është një fushatë e pastër propagandistike”, – shprehet ai. Shehaj pretendon se në 12 vitet e qeverisjes së tij, Rama ka ndërtuar pushtetin përmes kontrollit absolut të mediave dhe jo përmes punës apo rezultateve konkrete.

Ai e përshkruan situatën aktuale si pasojë direkte të një sistemi të mbyllur, ku qytetarët ndihen të pashpresë dhe të detyruar të largohen nga vendi për të ndërtuar jetën jashtë. Sipas Shehajt, ky realitet i trishtë nuk mund të maskohet përmes debatit me një figurë të huaj, sado i njohur të jetë ai.

Në fund të reagimit të tij, Shehaj i bën thirrje opinionit publik që të mos bjerë pre e retorikës mediatike, duke nënvizuar se figura e Ramës si “mbrojtës i emigrantëve” është thjesht një krijim fiktiv i propagandës politike, që nuk pasqyron të vërtetën e realitetit shqiptar.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur çështja e emigracionit është rikthyer në vëmendjen ndërkombëtare, pas përplasjes së Ramës me Farage në një intervistë të bujshme, e cila mori jehonë në media të huaja dhe shqiptare. Shehaj përpiqet të rrëzojë atë që e quan “mit i rremë”, duke vendosur theksin tek arsyet e brendshme të largimit të shqiptarëve.

Ndaj Postimin: