Agron Shehaj akuzon Belinda Ballukun për përfshirje në aferë me miliona euro dhe deklaron se nuk do t’i mbyllet fjala, ndërsa Peleshi i ndërpret mikrofonin.
Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, riktheu sot në seancën plenare debatin mbi hetimet që prekin zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Ai iu referua përgjimeve të publikuara një ditë më parë nga dosja e Prokurorisë së Posaçme, ku Balluku dhe ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, diskutonin mbi menaxhimin e tenderëve publikë.
Shehaj tha se sipas këtyre provave, Balluku dhe bashkëpunëtorët e saj kanë përfituar miliona euro nga fondet publike. Ai u shpreh se nuk do të lejojë që çështja të mbyllet në heshtje. “Nuk ma mbyllni dot gojën, do të flas,” deklaroi ai para deputetëve.
Gjatë fjalës së tij, Shehaj akuzoi mazhorancën se po mbron zyrtarët e lartë të implikuar në afera korruptive. Ai theksoi se qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku kanë përfunduar paratë publike.
“Në përgjime del qartë se zv.kryeministrja ka vjedhur 10 milionë euro së bashku me drejtorinë e saj,” tha ai, duke iu referuar dokumenteve të SPAK-ut që janë bërë publike në media.
Në këtë moment, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërpreu fjalën e tij dhe i mbylli mikrofonin, duke e thirrur Shehain të respektonte rregulloren e seancës. Për disa minuta u krijua tension në sallë.
Shehaj reagoi duke thënë se ndërprerja e fjalës është mënyrë për të shmangur përgjegjësinë politike të mazhorancës. Ai theksoi se qeveria po mbron vetveten dhe se çdo tentativë për të heshtur opozitën do të dështojë.
Debati ka ardhur në një moment kur çështja e tunelit të Llogarasë dhe procedurat e tenderimit janë bërë objekt hetimi nga SPAK, duke sjellë përplasje të forta parlamentare.
Opozita ka paralajmëruar se do të vazhdojë denoncimet, ndërsa mazhoranca këmbëngul se duhet pritur vendimi përfundimtar i drejtësisë.


