Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.
Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë dhe procesi duhet të vijojë deri në ndëshkimin e të gjithë zyrtarëve të korruptuar.
Shehaj theksoi se për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri, përpara drejtësisë duhet të dalë edhe kryeministri Edi Rama, të cilin ai e akuzon për korrupsion dhe mbrojtje të interesave klienteliste.
Sipas tij, shqiptarët nuk mund të presin që vetëm drejtësia të pastrojë politikën, por duhet të ndërmarrin vetë hapa konkretë përmes votës së tyre. “Reagimi duhet të nisë më 11 maj, duke votuar njerëz të pakorruptuar dhe me integritet,” u shpreh Shehaj.
Në deklaratën e tij, ai nënvizoi se korrupsioni në Shqipëri është bërë normë pikërisht për shkak të mbrojtjes nga nivelet më të larta të pushtetit. Shehaj tha se qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë realitet dhe se tani është koha për veprim.
“Ne e dimë shumë mirë që Erion Veliaj ishte i korruptuar. E dimë që Edi Rama është i korruptuar. Duhet të reagojmë. Duhet të hapim sytë. Duhet t’i ndëshkojmë me votë,” vijoi ai në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve.
Shehaj bëri thirrje për një angazhim më të madh qytetar, duke theksuar se nuk mjafton vetëm veprimi i drejtësisë, por edhe vetëdija dhe vendosmëria e shqiptarëve për të sjellë ndryshim.
“Ndërkohë që drejtësia bën detyrën dhe i çon para përgjegjësisë zyrtarët e korruptuar, ne duhet të bëjmë tonën. Duhet t’i ndëshkojmë me votë,” përfundoi ai.