Shehaj nga Kuvendi: Rama po ushtron presion mbi drejtësinë, kërkon bllokimin e vendimit për Ballukun

Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka dalë sot në një konferencë për shtyp nga Kuvendi i Shqipërisë, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për presion të drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë, prokurorëve dhe gjyqtarëve. Shehaj i ka bërë thirrje ambasadorëve të vendeve perëndimore në Shqipëri që të ndërhyjnë publikisht në mbështetje të drejtësisë.

Sipas deputetit, sulmet e kryeministrit ndaj SPAK-ut dhe Gjykatës Kushtetuese po shoqërohen me një klimë intimidimi dhe kërcënimi, në një moment që ai e cilëson kritik për të ardhmen e drejtësisë në vend. Shehaj pretendon se Rama po ushtron presion mbi Gjykatën Kushtetuese, e cila prej javësh, sipas tij, po shtyn vendimmarrjen lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Jam këtu për të dënuar me forcë sulmet e përditshme të kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë dhe SPAK-ut. Prokurorët dhe gjyqtarët po përballen me kërcënime serioze, madje edhe për jetën e tyre, ndërsa kryeministri vazhdon t’i denigrojë publikisht”, deklaroi Shehaj.

Ai e cilësoi gjuhën e përdorur nga Rama si linçuese, kërcënuese dhe intimiduese, duke shtuar se kjo sjellje po ndikon drejtpërdrejt në vonesat e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Sipas Shehajt, shtyrja e vendimit për kërkesën e SPAK për pezullimin dhe arrestimin e Belinda Ballukut është një përpjekje për të mbajtur peng drejtësinë dhe për të shmangur përballjen me përgjegjësinë penale.

Deputeti deklaroi gjithashtu se presioni ndaj drejtësisë nuk vjen vetëm nga kryeministri, por edhe nga ministra, deputetë të mazhorancës, analistë dhe gazetarë pranë qeverisë, si dhe nga struktura të krimit të organizuar, sipas pretendimeve të tij.

Në këtë kontekst, Shehaj iu drejtua drejtpërdrejt përfaqësive diplomatike perëndimore në Tiranë, përfshirë të ngarkuarën me punë të SHBA-së, ambasadorin e Bashkimit Europian, si dhe ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Holandës, duke u kërkuar që të vazhdojnë mbështetjen për drejtësinë shqiptare.

“U bëjmë thirrje të gjitha përfaqësive diplomatike perëndimore në Shqipëri që të mbështesin prokurorët dhe gjyqtarët dhe të kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj tyre. Ky është një moment vendimtar që ndan të shkuarën e pandëshkueshmërisë nga një e ardhme ku të korruptuarit dalin përpara drejtësisë”, u shpreh Shehaj.

Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku përplasjet mes qeverisë dhe aktorëve të opozitës mbi rolin e drejtësisë dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese janë intensifikuar ndjeshëm.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033