Policia ekuadoriane arreston shefin italian Panfilo Colonico, i dyshuar për pastrim parash dhe bashkëpunim me mafian shqiptare e kartelet e kokainës
Një ngjarje e bujshme ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Ekuador, pasi një shef i njohur kuzhine është vënë në pranga për lidhje të forta me rrjetet e krimit të organizuar. Panfilo Colonico, i njohur me nofkën Benny C., u arrestua nga policia ekuadoriane gjatë një operacioni në banesën e tij në Samborondon, pranë kryeqytetit Quito.
Gjatë bastisjes, autoritetet gjetën shuma të konsiderueshme parash të falsifikuara, duke shtuar dyshimet për përfshirjen e Colonicos në aktivitete të paligjshme. Prokuroria lokale ka ngritur akuza për pastrim parash dhe bashkëpunim me grupe kriminale shqiptare dhe kartele të fuqishme të kokainës. Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për një hetim të gjatë që lidhet me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Colonico nuk është emër i panjohur për mediat. Në qershor të vitit 2023, ai u rrëmbye nga persona të armatosur të maskuar si policë, teksa ndodhej në restorantin e tij “Il Sabore Mio” në Guayaquil. Ngjarja u bë lajmi kryesor në Itali, ndërsa Ministria e Jashtme italiane ndërhyri përmes autoriteteve ekuadoriane. Pas gjashtë ditësh, ai u lirua dhe u rikthye me një taksi në të njëjtin lokal ku ishte rrëmbyer.
Hetimet për atë pengmarrje zbuluan se autorët kishin kërkuar shuma të mëdha parash për lirimin e tij. Dy prej tyre ranë në pranga, por misteri mbi arsyet e vërteta të rrëmbimit mbeti i pazgjidhur.
Colonico kishte mbërritur në Ekuador në mars të vitit 2020, pasi më parë kishte jetuar dhe punuar në Kanada. Karriera e tij si shef kuzhine u shua shpejt, duke lënë vend për dyshime mbi veprimtaritë e tij jashtë kuzhinës.
Pak muaj para rrëmbimit, në janar të vitit 2023, një ngjarje e dyshimtë ndodhi pranë restorantit të tij, kur u raportua një e shtënë me armë. Vetë Colonico e paraqiti publikisht si tentativë grabitjeje, por burime vendase thanë se bëhej fjalë për larje hesapesh, të lidhura me borxhe dhe pagesa të papaguara.
Arrestimi i tij i fundit ka ringjallur dyshimet se shefi i njohur i kuzhinës ishte i integruar thellë në botën e krimit ndërkombëtar. Hetimet e nisura nga autoritetet ekuadoriane pritet të zbardhin rolin e tij dhe shkallën e përfshirjes në trafikun e kokainës dhe rrjetet mafioze shqiptare.