SHBA zgjat gjendjen emergjente për Ballkanin perëndimor për shkak të korrupsionit dhe kërcënimeve territoriale

Donald Trump urdhëron zgjatjen e emergjencës në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur vendimin për të zgjatur me një vit të plotë gjendjen kombëtare të emergjencës që lidhet me Ballkanin Perëndimor. Njoftimi zyrtar, i publikuar më 24 qershor 2025, pritet të regjistrohet në Federal Register dhe t’i dërgohet Kongresit Amerikan.

Në deklaratën e tij, Trump thekson se korrupsioni i përhapur në qeveritë dhe institucionet e rajonit pengon qeverisjen demokratike dhe integrimin euroatlantik, duke u kthyer kështu në një kërcënim serioz për interesat strategjike të SHBA-së. Ai përmend gjithashtu përpjekjet për të minuar marrëveshjet pasluftës dhe për të sfiduar sovranitetin e shteteve të rajonit si faktorë destabilizues.

Gjendja e emergjencës për Ballkanin Perëndimor u shpall për herë të parë më 26 qershor 2001 nga Presidenti i atëhershëm, nëpërmjet Urdhrit Ekzekutiv 13219. Që prej asaj kohe, është zgjeruar dhe përditësuar disa herë për të reflektuar situatën në rajon, përfshirë gjëndjen e Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjës dhe Shqipërisë.

Në qershorin e vitit 2021, Presidenti i SHBA-së nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 14033, duke thelluar masat ndaj aktorëve që minojnë marrëveshjet ndërkombëtare dhe qeverisjen demokratike në rajon. Ky vendim i fundit e lidh gjendjen emergjente edhe me tentativat për të shmangur sanksionet amerikane dhe për të mbështetur dhunën ekstremiste.

Trump përmend në mënyrë specifike aktet që cënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe korrupsionin si një plagë që gërryen besimin e qytetarëve ndaj institucioneve. Sipas tij, këto zhvillime vazhdojnë të përbëjnë rrezik të pazakontë për sigurinë dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Në përfundim, Presidenti konfirmon se, në përputhje me legjislacionin amerikan për emergjencat kombëtare, do të mbajë në fuqi këtë status deri pas datës 26 qershor 2026. Vendimi pasqyron vazhdimësinë e qasjes së SHBA-së për të ndikuar në ruajtjen e stabilitetit dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor.

Ndaj Postimin: