SHBA shpenzon rreth 779 milionë dollarë në 24 orët e para të sulmeve ndaj Iranit

Ofensiva ajrore e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit ka kushtuar rreth 779 milionë dollarë vetëm në 24 orët e para, sipas vlerësimeve të publikuara nga media ndërkombëtare. Shuma përfaqëson rreth 0.1% të buxhetit amerikan të mbrojtjes për vitin 2026.

Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi se operacioni përfshiu një dislokim të gjerë forcash ajrore dhe detare, mes tyre bombarduesit stealth B-2, avionët luftarakë F-22, F-35 dhe F-16, avionët sulmues A-10 dhe avionët për luftë elektronike EA-18G. Në operacion u përdorën gjithashtu dronë MQ-9 Reaper, sisteme mbrojtëse raketore Patriot dhe aeroplanmbajtëse me energji bërthamore.

Katër bombardues B-2 u ngritën nga baza ajrore “Whiteman” në shtetin e Missourit dhe fluturuan pa ndalesë drejt objektivave, duke përdorur municion me peshë rreth 907 kilogramë. Sipas vlerësimeve, vetëm operacionet me B-2 llogaritet të kenë kushtuar rreth 30.2 milionë dollarë, bazuar në orët e fluturimit, mirëmbajtjen dhe municionin e përdorur.

Zyrtarët amerikanë konfirmuan gjithashtu përdorimin për herë të parë në kushte luftarake të një droni autonom kamikaz, të quajtur “Lukas”, me kosto të ulët. Ky mjet u përdor në kuadër të operacionit të koduar “Epic Fury”, që synoi objektet e komandës dhe kontrollit të Gardës Revolucionare Islamike.

Operacioni shënon një nga ndërhyrjet më të mëdha ushtarake të SHBA-së në rajon në vitet e fundit, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit po reflektohet edhe në tregjet ndërkombëtare dhe në tensionet diplomatike globale.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033