Administratës së presidentit Donald Trump i është bërë thirrje të rrisë angazhimin në Ballkanin Perëndimor, pasi Rusia – përmes Serbisë – po vlerësohet si faktori kryesor i destabilizimit në rajon. Këto deklarime u bënë gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA.
Kryetari republikan i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self, e cilësoi Ballkanin Perëndimor si “rajonin më të paqëndrueshëm në Evropë” pas Ukrainës, e cila ndodhet nën agresionin rus. Ai theksoi se mosmarrëveshjet e pazgjidhura mes Serbisë dhe Kosovës janë një nga burimet kryesore të tensioneve, duke i mundësuar Rusisë të minojë Bashkimin Evropian dhe aftësinë e NATO-s për të forcuar vendet e rajonit.
Self paralajmëroi se edhe Shqipëria, së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, mund të jenë shënjestra të drejtpërdrejta në rast konflikti, çka mund të çojë në aktivizimin e nenit 5 të NATO-s. Sipas tij, Kosova mbetet edhe më e ekspozuar, për shkak se nuk është pjesë e aleancës perëndimore.
Ai shtoi se kundërshtarët e SHBA po shfrytëzojnë dobësitë e rajonit për të zhvilluar luftë hibride që nxit paqëndrueshmëri. Self përmendi se Kina po lidh marrëveshje ekonomike në të gjithë Ballkanin me synimin për të ruajtur ndikimin e saj dhe për të shfrytëzuar korrupsionin lokal.
Rusia, sipas tij, po nxit tensione të reja në Bosnje, veçanërisht në Republikën Sërpska dhe në Serbi. Ai theksoi se Millorad Dodik po përdor kapitalin e tij politik për të kontrolluar Republikën Sërpska dhe për të shërbyer interesave të Rusisë, madje duke kërcënuar me ndarjen nga Bosnja.
Self shtoi se Serbia, pavarësisht dërgimit indirekt të armëve në Ukrainë, ka marrëdhënie të ngushta ushtarake me Rusinë dhe Kinën dhe shpërndan propagandën e tyre. Për të frenuar ndikimin rus, sipas tij, duhet adresuar varësia energjetike e Beogradit nga Rusia.
Eksperti i Qendrës për Evropën dhe Euroazinë, Luke Coffey, u shpreh se Serbia, ndonëse pretendon një politikë të jashtme të balancuar, në realitet është e lidhur ngushtë me orbitën ruse dhe se kjo situatë nuk pritet të ndryshojë së shpejti. Ai vlerësoi gjithashtu Marrëveshjen e Dejtonit si një nga sukseset më të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane pas Luftës së Ftohtë, duke paralajmëruar se zhbërja e saj do të çonte në paqëndrueshmëri të thelluar.
Coffey theksoi se, edhe pse SHBA nuk është vend ballkanik, ajo mund të ushtrojë rol të rëndësishëm në rajon, duke i bërë thirrje presidentit Trump të ndërmarrë hapa për të mbrojtur interesat kombëtare amerikane në Ballkanin Perëndimor.


