Raportimet e mediave amerikane flasin për mundësi sulmesh ajrore kundër bazave ushtarake të lidhura me trafikun e drogës, të mbështetur nga regjimi i Nicolas Maduro.
Mediat kryesore në SHBA, si Miami Herald dhe Wall Street Journal, kanë raportuar se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e goditjes së disa bazave brenda territorit venezuelian. Këto operacione do të synonin struktura të cilësuara si të lidhura me “kartelin Soles”, për të cilin Uashingtoni pretendon se drejtohet nga vetë presidenti Nicolas Maduro dhe zyrtarë të lartë të qeverisë së tij.
Sipas burimeve që citojnë mediat, goditjet mund të realizohen brenda pak ditësh ose edhe orësh, duke përdorur sulme ajrore të koordinuara. Qëllimi i operacionit, sipas informacioneve paraprake, është të goditen pikat kyçe të trafikimit të drogës dhe të dobësohet hierarkia e organizatës së dyshuar.
Administrata amerikane, e drejtuar nga presidenti Donald Trump, prej kohësh ka shprehur hapur synimin për të shtuar presionin ndaj qeverisë së Karakasit. Shtetet e Bashkuara akuzojnë prej vitesh regjimin e Maduro-s për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me rrjete ndërkombëtare të trafikut të kokainës.
Funksionarë amerikanë citojnë shifra që përmendin rreth 500 tonë drogë të trafikuara çdo vit drejt tregjeve në Evropë dhe SHBA, duke e konsideruar Venezuelën një nyje kryesore logjistike për këto rrjete.
Një prej burimeve të cituara nga Miami Herald deklaroi se Maduro rrezikon të humbasë kontrollin edhe brenda rrethit ushtarak. Disa gjeneralë, sipas këtij burimi, mund të vendosin të dorëzojnë presidentin në këmbim të garancive ndërkombëtare për mbrojtje.
Nga ana tjetër, Wall Street Journal thekson se çdo fushatë ajrore e mundshme do të shërbente edhe si mesazh politik i drejtpërdrejtë ndaj regjimit venezuelian: koha e Maduro-s në pushtet po shkon drejt fundit.
Sipas raportimeve, objektivat potencialë përfshijnë porte dhe aeroporte të kontrolluara nga ushtria, të cilat dyshohen se janë përdorur si korridore të trafikimit të kokainës dhe substancave të tjera narkotike.
Në këtë sfond, SHBA po shfaq një prani ushtarake gjithnjë e më të dukshme në Karaibe. Raportohet se një anije lëshimi raketash është dislokuar pranë Trinidad dhe Tobago, ndërsa aeroplanmbajtësja amerikane “Gerald Ford” po lëviz drejt ujërave të Amerikës Latine.
Ngjarja mbetet në zhvillim, ndërsa vendimet e radhës priten të ndikojnë në ekuilibrat politikë dhe ushtarakë të gjithë rajonit.


