Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një mesazh urimi ka ardhur edhe nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Në deklaratën e tij, ai shprehu urimet për qytetarët e Kosovës në emër të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se Uashingtoni mbetet i palëkundur në mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
“SHBA-ja mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe presim me padurim zgjerimin e lidhjeve ekonomike që do të rrisin mirëqenien e të dy kombeve tona”, thuhet në mesazh.
Rubio vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Kosovës për përpjekjet e SHBA-së në adresimin e sfidave globale dhe mirëpriti udhëheqjen e saj si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes.
Duke iu referuar përvjetorit, ai theksoi se SHBA-ja pret një bashkëpunim edhe më të fortë në vitet që vijnë dhe se do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë.