SHBA ndalon një tjetër anije pranë Venezuelës, shtohet presioni ndaj “flotës në hije”

Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar një anije të tretë në ujërat pranë brigjeve të Venezuelës, në kuadër të veprimeve për forcimin e zbatimit të sanksioneve ndërkombëtare ndaj transportit të paligjshëm të naftës.

Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende detaje mbi identitetin e anijes apo vendndodhjen e saktë ku është kryer ndërhyrja. Njoftimi vjen vetëm një ditë pasi u publikuan pamje që tregonin sekuestrimin e një cisternë nafte pranë bregdetit të Venezuelës, operacion i konfirmuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara kryen për herë të parë sekuestrimin e një cisternë nafte të sanksionuar, të quajtur “Skipper”, gjithashtu në ujërat pranë Venezuelës. Pas këtij veprimi, disa anije të tjera që transportojnë miliona fuçi naftë kanë mbetur të ankoruara në zonë, nga frika e ndërhyrjeve të mëtejshme amerikane.

Sipas autoriteteve, një pjesë e këtyre anijeve dyshohet se i përkasin të ashtuquajturës “flotë në hije”, e cila përdor metoda të fshehura për të shmangur sanksionet dhe për të transportuar naftë dhe mallra drejt vendeve të sanksionuara, përfshirë Rusinë, Iranin dhe Venezuelën.

Këto veprime zhvillohen në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump po rrit presionin dhe po forcon kontrollin mbi zbatimin e sanksioneve në rajon. Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se pritet të ketë informacion të mëtejshëm në vijim.

Ndaj Postimin: