SHBA hap dosjen Epstein: administrata Trump gati të publikojë qindra mijëra dokumente

Administrata e presidentit Donald Trump pritet të publikojë sot një volum shumë të madh dokumentesh që lidhen me çështjen e Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, ndërsa materiale të tjera do të bëhen publike në javët në vijim. Lajmi vjen në ditën kur skadon afati ligjor për publikimin e të gjitha dokumenteve që qeveria amerikane ka në posedim për këtë dosje.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë ka bërë të ditur se sot do të publikohen “qindra mijëra dokumente”, të cilat do të jenë në forma të ndryshme. Megjithatë, sipas të njëjtit burim, kjo nuk do të përfshijë të gjithë materialin, pasi një sasi tjetër e konsiderueshme dokumentesh pritet të publikohet në javët e ardhshme.

Autoritetet amerikane kanë theksuar se procesi po kryhet me kujdes për të garantuar mbrojtjen e plotë të viktimave, duke shmangur publikimin e emrave, identiteteve apo detajeve sensitive. Për këtë arsye, një pjesë e dokumenteve pritet të jetë e censuruar.

Zyrtarët sqarojnë se çdo dokument po shqyrtohet individualisht përpara publikimit, me qëllim mbrojtjen e viktimave dhe të dhënave personale. Deri në këtë fazë, nuk parashikohen ndjekje të reja penale, por hetimi lidhur me çështjen Epstein vijon.

Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në një burg në Nju Jork më 10 gusht 2019, pak para se të dilte në gjyq për akuza të rënda për abuzim seksual. Vdekja e tij ka nxitur prej vitesh teori të shumta konspirative, sipas të cilave ai mund të jetë vrarë për të fshehur lidhje të mundshme me persona me pushtet dhe ndikim.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, Donald Trump kishte premtuar zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, por më pas kishte minimizuar rëndësinë e saj. Pas një kundërshtimi të gjatë, në muajin nëntor ai ratifikoi ligjin që detyron administratën të publikojë të gjitha dokumentet që lidhen me dosjen Epstein, duke hapur rrugën për zbulime të reja që pritet të shkaktojnë debat të gjerë në opinionin publik amerikan.

Ndaj Postimin: