Kreu i Nismës Thurje deklaron se ka mbetur pa rezultat nga çdo përpjekje për marrëveshje paszgjedhore me Adriatik Lapajn, duke akuzuar mungesë parimesh.
Endri Shabani, një prej zërave më kritikë të opozitës së re, ka treguar hapur zhgënjimin e tij për marrëdhënien politike me Adriatik Lapajn. Ai theksoi se çdo negociatë pas zgjedhjeve ka përfunduar pa rezultat konkret dhe me mungesë bashkëpunimi.
Në një intervistë të fundit, Shabani theksoi se nuk ka të bëjë me mandate apo përfitime personale, por me qëndrime dhe besueshmëri. “Nuk është çështje rroge apo mandati, por e parimeve. Nuk mund të kemi dy standarde,” tha ai me ton të prerë.
Ai u ndal edhe te tensionet brenda koalicionit, duke përmendur përplasjen me Zeqir Kordhonin si pasojë e mungesës së një vizioni të përbashkët. Sipas tij, përpjekjet për të ndërtuar një bashkëpunim institucional, me staf dhe buxhet të përbashkët, kanë dështuar pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit nga pala tjetër.
Shabani nënvizoi se personalizimi i fushatës vetëm te një emër ka dëmtuar frymën kolektive të koalicionit. “Nuk e vendos një njeri të vetëm fitoren e një ekipi të tërë,” u shpreh ai.
Duke folur për rezultatin zgjedhor, kreu i Nismës tha se Lapaj ka marrë më shumë vota, por jo aq sa të sigurojë mandat individual. “13 500 vota duhen për një mandat në Tiranë. Asnjë nga ne nuk i ka marrë,” shtoi ai.
Në fund, ai theksoi se koalicioni duhet të mbajë premtimet për të mos rënë në të njëjtat sjellje si politika e vjetër. “Nëse nuk i qëndrojmë fjalës, nuk jemi më ndryshe nga ata që i kemi kritikuar,” përfundoi Shabani.