Sezoni veror dështim total, mes çmimeve të larta dhe shërbimeve të dobëta

Turizmi në Shqipëri u përball me rënie të të ardhurave, turistë me buxhet të ulët dhe kushte të papërshtatshme

Sezoni veror 2025 ka treguar qartë se turizmi në Shqipëri po humbet terren, duke zhgënjyer pritshmëritë e operatorëve turistikë dhe bizneseve të bregdetit. Hotelet në jug raportuan rënie të të ardhurave deri në 30% krahasuar me vitin 2024, ndërsa në veri ulja varion nga 10% në 15%. Arsyeja kryesore lidhet me ndryshimin e profilit të vizitorëve: gjithnjë e më shumë mbërrijnë turistë me buxhet minimal, të cilët shmangin shpenzimet për akomodim dhe shërbime cilësore.

Në vend të pushuesve tradicionalë nga Italia, Kosova dhe diaspora, oferta jonë ka tërhequr udhëtarë që e shohin Shqipërinë si një destinacion “të lirë”. Çmimet e larta, pa raport të drejtë me cilësinë, kanë larguar turistët që investonin më shumë. Diaspora shqiptare, e cila dikur pranonte kosto më të larta, tashmë është zhgënjyer nga mungesa e standardeve, duke zgjedhur vende ku pagesa shoqërohet me shërbim të denjë.

Përveç çmimeve, kushtet në hapësirat publike po ndikojnë negativisht në përvojën e turistëve. Plazhet shpesh dominohen nga zona me pagesë të lartë për çadra e shezlongë, ndërsa hapësirat publike janë të pakta dhe të papastruara. Shumë vizitorë zgjedhin të kalojnë ditën me ushqim nga supermarketet apo fast food, duke shmangur restorantet për shkak të kostos së lartë dhe shërbimit të dobët.

Problemet infrastrukturore kanë rënduar më tej situatën. Mungesa e ujit në zonat bregdetare, ndërprerjet e energjisë në zonat rurale dhe mungesa e stafit të kualifikuar në hotele e restorante kanë dëmtuar imazhin e vendit. Në shumë zona, mbetjet e hedhura pa kontroll, ujërat e ndotura dhe kantieret e ndërtimit pranë strukturave akomoduese krijojnë një panoramë që asnjë turist nuk e percepton si pushim të vërtetë.

Operatorët turistikë pranojnë se edhe pse kontratat me garanci për vitin 2026 janë mbyllur në të njëjtat shifra me këtë vit, imazhi i vendit ka pësuar goditje serioze. Agjencitë e huaja kanë vendosur klauzola të reja që u japin të drejtën të tërheqin 20% të rezervimeve nëse shitjet nuk ecin sipas pritshmërive, gjë që tregon mungesë besimi tek qëndrueshmëria e ofertës shqiptare.

Pavarësisht se për vitin e ardhshëm pritet hyrja e tregut francez dhe ruajtja e grupeve nga Polonia e Çekia, mbetet e paqartë nëse kjo do të kompensojë humbjen e tregjeve tradicionale. Nëse nuk përmirësohen shërbimet, hapësirat publike dhe infrastruktura, Shqipëria rrezikon të mbetet thjesht një destinacion tranzit për turistë me shpenzim minimal, ndërsa turizmi cilësor do të mbetet thjesht një ambicie në letër.

Ndaj Postimin: