Trajneri i ri i Milanit, Serxhio Conceicao, nisi aventurën e tij në krye të kuqezinjve me një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Juventusit në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë. Pas ndeshjes, tekniku portugez ndau emocionet dhe vlerësimet për ekipin në një intervistë për mediat italiane.
“E merituam fitoren për pjesën e dytë,” tha Conceicao. “Në pjesën e parë, Milani nuk ishte në lartësinë e duhur. Ishim të pasaktë në mbrojtje dhe shumë të ngadaltë në lojën tonë. Por gjithçka ndryshoi pas pushimit.”
Një ndër çështjet kryesore për Milanin është rikthimi i Rafael Leaos, dhe trajneri portugez mbetet i kujdesshëm. “Të shohim, nesër do të stërvitet përsëri individualisht. Sa i përket mundësisë për të luajtur me dy sulmues, kjo mund të ndodhë në të ardhmen,” shtoi ai.
Conceicao pranoi se kishte pasur një moment tensioni me lojtarët gjatë pushimit mes dy pjesëve. “Në dhomat e zhveshjes nuk kishte përqafime. Jam zemëruar pak, sepse ata nuk po zbatonin atë që kishim përgatitur. Ishte e nevojshme t’i shkundja pak,” tregoi ai, duke nënvizuar se ekipi i tij ka ende nevojë për më shumë intensitet dhe vendosmëri.
“Lojtarët ndonjëherë kanë nevojë për një fjalë të mirë, por edhe për ndonjë kritikë të ashpër. Nuk jam shumë simpatik si trajner, nuk më pëlqejnë përqafimet. Më shpesh ndodh që të zemërohem se sa të buzëqesh,” tha Conceicao me sinqeritet.
Megjithatë, ai vlerësoi cilësinë dhe përkushtimin e grupit të lojtarëve. “Është një ekip me potencial të madh. Jam i kënaqur sepse ata e kanë pranuar mesazhin tim dhe po punojnë fort. Për mua, gjëja më e rëndësishme nuk është të bëj miq, por të fitoj. Ky është qëllimi im këtu,” përfundoi trajneri portugez.
Fitorja ndaj Juventusit i jep Milanit një biletë për finalen e Superkupës së Italisë dhe një fillim shpresëdhënës për Konsesao, i cili po përpiqet të ndërtojë një Milan më të fortë dhe më konkurrues. Tifozët tashmë presin me padurim përballjet e ardhshme për të parë nëse vizioni i trajnerit do të sjellë sukses të qëndrueshëm për kuqezinjtë.