Serbia ndalon shitjen e biletave për ndeshjen me Shqipërinë

Federata Serbe vendos masa ekstreme sigurie për ndeshjen me Shqipërinë, duke ndaluar shitjen e lirë të biletave dhe duke kufizuar hyrjen vetëm për persona të identifikuar.

Federata e Futbollit të Serbisë ka marrë një vendim drastik për ndeshjen e 11 tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Dubocica” në Leskovac. Pas konsultimeve me FIFA, UEFA dhe Ministrinë e Brendshme serbe, është vendosur që asnjë biletë të mos dalë në shitje të lirë.

Në vend të kësaj, biletat do të shpërndahen vetëm përmes listave të kontrolluara dhe me identifikim personal. Federata njoftoi se ato do të ndahen te federatat rajonale, klubet, shkollat e futbollit, prindërit e fëmijëve sportistë, organizatat e futbollit amator dhe profesionist, sponsorët, mediat e akredituara dhe personeli mjekësor i përfshirë në ndeshje.

Kontrollet e sigurisë do të jenë të rrepta, ku hyrja në stadium do të lejohet vetëm me bileta të personalizuara dhe dokument identifikimi si karta e identitetit ose pasaporta. Federata serbe ka theksuar se këto masa janë të domosdoshme për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të vitit 2014, kur ndeshja Serbi–Shqipëri në Beograd u ndërpre dhe solli pasoja të rënda për të dy kombëtaret.

Duke marrë parasysh atë incident, ndeshja e këtij tetori është shpallur me rrezikun më të lartë të sigurisë nga FIFA, UEFA dhe autoritetet serbe. Për këtë arsye, FIFA ka dërguar dy oficerë të posaçëm sigurie në Leskovac, ndërsa është konfirmuar se nuk do të ketë tifozë shqiptarë në tribuna.

Federata Serbe i ka bërë thirrje publikut vendas të ruajë qetësinë dhe sjelljen sportive, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë ekipi kombëtar i tyre mund të zhvillojë një ndeshje të qetë dhe të përqendrohet te rezultati në fushë.

Ky vendim pritet të ngjallë diskutime, por autoritetet serbe e konsiderojnë atë të domosdoshëm për të garantuar sigurinë dhe shmangien e çdo akti huliganizmi që mund të dëmtonte jo vetëm imazhin e futbollit serb, por edhe vetë zhvillimin e garës.

Ndaj Postimin: