Selina e Bashkisë së Dimalit në Ditën e Verës !

Ndërsa shumë banorë të Dimal përballen çdo ditë me mungesën e investimeve në rrugë, kanalizime dhe në pastrimin e kanaleve kulluese për bujqësinë, kryebashkiakia zgjodhi ta festojë Ditën e Verës me valle dhe spektakël në zyrat e bashkisë.

Pamjet e publikuara ku dëgjohet kënga “Dridhe mo Selinë, dridhe” dhe ku kryebashkiakia shfaqet duke kërcyer mes luksit dhe atmosferës festive, kanë ngritur jo pak reagime tek banorët e zonës. Për shumë qytetarë dhe fermerë, kjo skenë vjen në kontrast të fortë me realitetin e përditshëm që ata përjetojnë.

Prej vitesh banorët e disa fshatrave të bashkisë ankohen për mungesë investimesh në infrastrukturë dhe në sistemin e kanalizimeve. Një nga shqetësimet kryesore mbetet edhe pastrimi i kanaleve kulluese, jetike për fermerët dhe prodhimin bujqësor. Madje në disa raste fermerët kanë protestuar publikisht për mungesën e ndërhyrjeve nga bashkia.

Në vend që prioritet të jenë këto probleme, qytetarët shohin një administratë që shfaqet në festa dhe valle, ndërsa hallet e komunitetit mbeten të pazgjidhura. Media si RTV Apollon ka raportuar disa herë për shqetësimet e banorëve dhe për pasojat që kanë sjellë edhe përmbytjet në zonë, të cilat shpesh lidhen me mungesën e mirëmbajtjes së kanaleve.

Sot shumë banorë shtrojnë një pyetje të thjeshtë: deri kur do të vazhdojë kjo situatë, ku spektakli dhe propaganda zënë vendin e punës konkrete për komunitetin?

Sepse për qytetarët e Dimalit, zhvillimi nuk matet me valle në zyrë, por me rrugë të rregulluara, kanale të pastruara dhe mbështetje reale për fermerët që mbajnë gjallë ekonominë e zonës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033