Autoritetet italiane kanë sekuestruar një vilë luksoze me vlerë rreth 500 mijë euro, në pronësi të një shtetasi shqiptar nën hetim për trafik të lëndëve narkotike.
Sipas mediave italiane, identiteti i tij u zbulua pas analizave të thelluara mbi menaxhimin financiar të familjes. Guardia di Finanza e Faenzës, në koordinim me Prokurorinë e Ravenna-s, evidentoi një disproporcion të dukshëm mes të ardhurave të deklaruara dhe pasurisë së zotëruar.
Nga hetimet rezultoi se gjatë viteve të fundit, familja kishte shpenzime minimale për nevojat bazë, si ushqime dhe veshmbathje, ndërsa mungonin pothuajse tërësisht tërheqjet cash nga bankomatet dhe pagesat për karburant.
Megjithatë, i dyshuari kishte arritur të blejë një pronë luksoze me vlerë të konsiderueshme, çka ngriti dyshime për burimin e fondeve.
Sipas hetimeve, furnizimi i llogarive bankare me para ishte i mundur për shkak të sasisë së madhe të cash-it që dyshohet se vinte nga aktivitetet e paligjshme të lidhura me trafikun e drogës.
Sekuestrimi i vilës është masë e vendosur nga autoritetet gjyqësore italiane për rastet kur pasuria rezulton e papajtueshme me të ardhurat e deklaruara.