Sekuestrohen verëra luksoze 3 milionë euro në banesën e Ergys Agasit, i dyshuar për rrëmbime dhe manipulim tenderash në AKSHI

Dhjetëra shishe verë pa pullë fiskale, me vlerë të përafërt rreth 3 milionë euro, janë sekuestruar nga autoritetet në banesën e biznesmenit Ergys Agasi, i cili është shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal të dyshuar për rrëmbime dhe manipulim tenderash në AKSHI. Verërat luksoze, disa prej tyre 70 deri në 100 vjeçare, u gjetën gjatë kontrolleve të kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe më pas u bllokuan nga Hetimi Tatimor për shkak të mungesës së pullave fiskale.

Krahas Agasit, në kërkim vijon të jetë edhe Ermal Beqiri, i dyshuar si pjesë e të njëjtit grup kriminal. Autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tyre, ndërsa hetimet për aktivitetin e dyshuar vazhdojnë.

Ndërkohë, sot Gjykata e Posaçme (GJKKO) la në fuqi masën e arrestit në shtëpi për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe për zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi, të dyshuara për shkelje të barazisë në tendera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Hetimet e SPAK lidhin aktivitetin e dyshuar të biznesmenëve Agasi dhe Beqiri me skemat e manipulimit të tenderave dhe presioneve ndaj operatorëve ekonomikë, një çështje që po vijon të zgjerohet me prova të reja dhe sekuestrime shtesë.

Ndaj Postimin: