Sekuestrohen mbi 10 mijë suplemente të skaduara në Tiranë, shpallet në kërkim administratori nga Bosnja

Mbi 10 mijë suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara janë sekuestruar në një magazinë në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Audienca”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Sipas policisë, produktet mbaheshin për llogari të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital. Gjatë kontrollit, u konstatuan suplemente pa pullën e Agjencisë së Barnave, pa pullën e Ministrisë së Financave dhe pa etiketa në gjuhën shqipe.

Në vijim të hetimeve, është shpallur në kërkim administratori i subjektit, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, J. T., 53 vjeç. Gjithashtu, janë proceduar penalisht dy punonjës të subjektit, J. G., 30 vjeç dhe M. Ç., 26 vjeç.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033