Autoritetet ngrenë dyshime për mashtrim, fshehje të ardhurash dhe punësim të mjekëve të palicensuar, duke shkaktuar dëm financiar të konsiderueshëm ndaj buxhetit të shtetit.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, janë vënë nën sekuestro konservative të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të dy subjekteve mjekësore private: “International Medicare” shpk dhe “Sante Plus Group”. Vendimi erdhi pas një hetimi të nisur mbi bazën e procedimit penal nr.5022 të vitit 2024, që lidhet me veprat penale të mashtrimit dhe fshehjes së të ardhurave.
Hetimi është kryer në bashkëpunim mes Drejtorisë së Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionit të Krimit Ekonomik-Financiar në Policinë e Tiranës. Procedimi nisi pas denoncimit të një shtetasi portugez, C.S., i cili deklaroi se kishte paguar 5200 euro për tre ndërhyrje mjekësore, por shërbimet nuk u kryen kurrë.
Sipas dëshmisë së tij, mjekët që do të realizonin ndërhyrjet ishin larguar nga spitali, duke bërë që procedurat të shtyheshin disa herë. Pas anulimeve të përsëritura, ai kërkoi kthimin e shumës së paguar, por kjo nuk ndodhi. Denoncuesi deklaroi se ishte mashtruar, pasi spitali mori pagesën dhe nuk ofroi shërbim.
Referuar hetimeve dhe deklarimeve të punonjësve, rezultoi se spitali nuk lëshonte kuponë tatimorë, por aplikonte mandate dore, duke shmangur regjistrimin e transaksioneve në sistemin fiskal. Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën rreth 1 milion euro fatura të padeklaruara.
Hetimi nxori gjithashtu dyshime se një pjesë e stafit mjekësor përbëhej kryesisht nga shtetas turq, të cilët nuk dispononin licencë për ushtrim të profesionit në territorin shqiptar. Në sallat kirurgjikale u konstatuan edhe medikamente të skaduara dhe ilaçe të ndaluara për shitje jashtë spitaleve private.
Në funksion të hetimit, u administrua edhe akt-kontrolli i organeve tatimore. Nga ky kontroll rezultoi se “Sante Plus” kishte fshehur deklarimin real të pagave të punonjësve, duke shmangur pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.
Tatimet vlerësuan se shoqëria kishte krijuar detyrime për tatime të padeklaruara të lidhura me TVSH në shumën 12.826.573 lekë. Po ashtu, subjekti nuk kishte lëshuar autofatura për 11 faturime në vlerën 112.736.764 lekë, duke gjeneruar TVSH të padeklaruar prej 22.547.353 lekë.
Sipas përllogaritjeve, detyrimet tatimore për mosdeklarim pagash për periudhën 2018–2023 arrijnë në 4.510.786 lekë, ndërsa tatimi i padeklaruar me efekt TVSH-je në total shkon në 35.373.926 lekë.
Përveç kësaj, ka dyshime të bazuara në prova se “International Medicare” ka fshehur të ardhurat e përfituara nga pacientët, duke mos i raportuar ato në sistemet fiskale dhe duke përdorur vetëm mandate arkëtimi jo fiskale.
Nga hetimi rezultoi se krijimi i subjektit “International Medicare” me të njëjtët ortakë dhe administratorë si “Sante Plus”, erdhi në një kohë kur ndaj këtij të fundit kishin filluar sekuestrimet konservative për llogari të procedurave përmbarimore.
Sipas organit të akuzës, ky veprim sugjeron tentativë të qëllimshme për shmangie tatimesh, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të konsiderueshëm ekonomik.
Hetimet vijojnë, ndërsa pasuritë e subjekteve mbeten të bllokuara deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë.


