“Sekseri” i kullave nën radarët e drejtësisë: Erind Bejleri mes tenderëve, përgjimeve dhe projekteve strategjike në AZHT

Nga tenderët e paracaktuar në Bashkinë e Tiranës te përmendja në dosjen e ‘Ndrangheta’-s dhe roli si ndërmjetës mes administratës dhe biznesit, ‘sekseri’ Erind Bejleri shfaqet në projektet me vlerë të lartë që sot ndodhen nën vëzhgim ndërkombëtar…

Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të vendosur nën monitorim kullat, tenderët dhe projektet strategjike deri më 28 mars 2026 nuk është thjesht një lëvizje formale diplomatike, por një sinjal i drejtpërdrejtë se modeli i shpërndarjes së kontratave publike në Shqipëri është vënë nën vëzhgim të detajuar financiar nga partnerët. Në fokus nuk janë vetëm kompanitë përfituese, por mënyra si janë ndërtuar projektet, si janë hartuar specifikimet teknike dhe si janë përshpejtuar procedurat për zhvillime me vlerë dhjetëra dhe qindra milionë euro.

Në këtë kontekst, vëmendja zhvendoset tek roli i ndërmjetësve të padeklaruar që lëvizin mes administratës dhe biznesit, figura që nuk shfaqen domosdoshmërisht si përfitues finalë, por që sipas burimeve, kanë ndikim në fazat paraprake të projekteve, në koordinimin me institucionet dhe në orientimin e procedurave drejt zhvilluesve të caktuar.

Sot do të ndalemi te një nga figurat që përmendet si ‘middle man’; mes administratës dhe biznesit, emri i të cilit shfaqet në projekte me vlerë të lartë dhe në kontrata publike me ndikim të drejtpërdrejtë në territor.

Erind Bejleri është një emër që shfaqet vazhdimisht në projektet urbane me vlerë të lartë në Tiranë, nga rikoncepte publike deri te kulla shumëkatëshe që kalojnë në filtrin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe strukturave të planifikimit urban. Kompania e tij “Son Engineering & Construction” ka përfituar, sipas të dhënave të publikuara në media dhe regjistrave të prokurimeve, rreth 450 milionë lekë tenderë nga Bashkia e Tiranës brenda një periudhe katërvjeçare, përfshirë projektimin e Kopshtit Zoologjik dhe projekte të rindërtimit.

Sipas burimeve nga organet ligjzbatuese, emri i Bejlerit është përmendur në dosjen e përgjimeve të antimafias italiane për ‘Ndrangheta’-n, ku diskutohej për një kompani projektimi me akses të drejtpërdrejtë në tenderë dhe leje ndërtimi në Shqipëri. Identifikimi përfundimtar i personave të përfshirë mbetet kompetencë e SPAK, por përmendja e kompanisë së tij në atë kontekst e vendos atë në një zonë me ndjeshmëri të lartë hetimore.

Burime për Pamfletin brenda sektorit të ndërtimit, shprehen se Erind Bejleri konsiderohet një nga figurat që vepron si ndërmjetës mes AZHT, strukturave qeveritare dhe zhvilluesve privatë, të lidhur me grupe kriminale dhe individë të skeduar për pastrim parash, duke u shfaqur në fazat e hershme të projekteve që më pas marrin status strategjik apo trajtim të përshpejtuar administrativ. Sipas burimeve, ‘sekseri’ Erind Bejleri, ushtron ndikim të paligjshëm në proceset vendimmarrëse, përpara se të hyjë zyrtarisht në projekt përmes kompanisë së tij “Son Engineering & Construction”.

“Sekseri” i kullave nën radarët e drejtësisë:

Gjithashtu, në projektin e EKO-Parkut, ku tenderi prej 18.5 milionë eurosh u dha përmes një procedure me negocim pa garë të hapur dhe më pas u nënkontraktua për 6 milionë euro tek kompania ARTCON e Denis Ymerit, kompania holandeze Casanova Hernandez Architects, e përfshirë në projektim, rezulton të ketë bashkëpunime në Shqipëri me kompani të afërta me institucionet publike, ndër to edhe “Son Engineering”. Krahas kësaj, burime konfidenciale kanë pohuar nisjen e një hetimi të thelluar që përfshin edhe Erind Bejlerin në dosjen për EKO- Park.

Investigimi “Inside Story”, raportoi se në korrik 2024 një grup kompanish të lidhura me ish-drejtuesin e AKSHI-t, Daniel Shima, mori leje për ndërtimin e një kulle 16-katëshe në Tiranë, ku trualli rezultonte në pronësi të shoqërisë “Alu Glass”, ndërsa përfaqësimi për procedurën e marrjes së lejes u krye nga SON Engineering & Construction, kompania e Erind Bejlerit. Në reagimin e saj publik, kompania deklaroi se ofron vetëm shërbime projektimi arkitektonik dhe se nuk ndërmjetëson për leje ndërtimi, megjithatë investigimi ngriti pikëpyetje mbi rolin e SON në këtë proces dhe tregon se ajo shfaqet si pjesë e një rrjeti firmash që kanë siguruar leje për projekte shumëkatëshe në periudhën 2021-2025.

Nëse auditimi i paralajmëruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit do të hyjë në thelbin e mekanizmave financiarë dhe institucionalë që kanë shoqëruar kullat, tenderët dhe PPP-të, atëherë do të duhet të analizohet jo vetëm rrjedha e parave dhe kontratave, por edhe roli i personave që kanë qenë të pranishëm në fazat kyçe të projektimit dhe ndërmjetësimit.

Hetimi pritet të hedhë dritë jo vetëm mbi kontratat dhe procedurat, por edhe mbi marrëdhëniet që kanë shoqëruar këto projekte në prapaskenë, përfshirë lidhjet e Erind Bejlerit me zyrtarë qeveritarë dhe praninë e tij në zhvillime urbane me ndikim të lartë financiar dhe territorial…

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033