Sekretarja përballë tmerrit në sallën e gjyqit, dëshmia për vrasjen e gjygjtarit Kalaja

Dëshmia tronditëse e sekretares së Gjykatës së Apelit zbulon momentet kur Elvis Shkambi qëlloi për vdekje gjyqtarin Astrit Kalaja pas shpalljes së vendimit.

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që tronditi opinionin publik. Nga dosja hetimore e siguruar, zbulohet dëshmia e sekretares së Gjykatës së Apelit, e cila ndodhej në sallë në momentin e ekzekutimit. Ajo ka treguar me tronditje se gjithçka ndodhi menjëherë pas shpalljes së vendimit gjyqësor.

Sipas dëshmisë së saj, pas vendimit të shpallur nga gjyqtari Kalaja, të gjithë pjesëmarrësit në seancë po largoheshin nga salla, përveç Elvis Shkambit, i cili mbeti në vend. Sekretarja rrëfen se ai u ngrit me qetësi, iu afrua podiumit ku ndodhej gjyqtari dhe pa asnjë fjalë, nxori armën, duke qëlluar drejt tij në momentin kur Kalaja po nisej drejt dhomës së këshillimit.

“U ngrita në këmbë dhe vendosa duart në kraharor”, ka dëshmuar sekretarja, duke përshkruar momentin kur autori iu drejtua me fjalët “s’kam gjë me ty”, përpara se të rikthente armën drejt gjyqtarit. Dëshmia e saj përshkruan një skenë frike, ku gjithçka ndodhi brenda sekondash.

Më tej ajo ka treguar se autori nuk u mjaftua me një të shtënë, por vijoi të qëllonte në drejtim të gjyqtarit, edhe pasi ky kishte rënë në tokë. Salla e gjyqit u kthye në një skenë kaosi, ndërsa dëshmitarët u përpoqën të mbroheshin pas bankave të gjyqit.

Hetuesit kanë konfirmuar se autori, Elvis Shkambi, e kishte planifikuar veprimin e tij me kujdes. Pasi qëlloi, ai u largua me qetësi nga salla, ndërsa jashtë gjykatës e priste xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, i cili më vonë u ndalua me një arsenal armësh në mjetin që kishte parkuar pranë godinës.

Në një tjetër dëshmi tronditëse, xhaxhai i autorit ka pohuar se pas të shtënave i ishte drejtuar nipit me fjalët: “Na fike”. Kjo deklaratë ka ngjallur dyshime mbi përfshirjen e tij në organizimin e ngjarjes, duke çuar në zgjerimin e hetimeve nga policia.

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat balistike, ndërsa po heton motivet e sakta të atentatit. Burime pranë organit të akuzës kanë bërë të ditur se po verifikohet nëse ngjarja lidhet me një vendim të mëparshëm të gjyqtarit Kalaja ndaj të pandehurit.

Ngjarja ka tronditur sistemin e drejtësisë shqiptare, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar rritjen e masave të sigurisë në gjykata. Shoqata e Gjyqtarëve ka dënuar ashpër aktin, duke e quajtur një “sulm ndaj shtetit ligjor dhe pavarësisë së gjyqësorit”.

Ndaj Postimin: