Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy rikthehet në bankën e të akuzuarve, pasi nis në Gjykatën e Apelit procesi i ri që lidhet me dyshimet për financimin e paligjshëm të fushatës së tij presidenciale nga regjimi i Muammar Gaddafi-t në Libi.
Sarkozy, i cili vitin e kaluar u shpall fajtor për komplot kriminal, do të përballet sërish me gjykimin për katër akuza. Megjithatë, ish-presidenti francez vijon të mohojë çdo përgjegjësi në këtë çështje.
Në vitin 2025 ai u dënua me pesë vite burg, duke u bërë ish-lideri i parë i një shteti të Bashkimit Europian dhe presidenti i parë francez i periudhës pas Luftës së Dytë Botërore që vuajti një dënim me burg.
Pas 20 ditësh në burg në Paris, Sarkozy u lirua në nëntor në pritje të shqyrtimit të apelimit. Ai e përshkroi qëndrimin në burg si “rraskapitës” dhe “një makth”.
Sipas akuzës së ngritur nga prokuroria, marrëveshja për financimin e fushatës presidenciale daton në vitin 2005, kur Sarkozy ishte ministër i Brendshëm i Francës.
Prokurorët pretendojnë se regjimi i Gaddafit ofroi mbështetje financiare për fushatën e tij të suksesshme të vitit 2007, ndërsa në këmbim pritej mbështetje politike për Libinë, e cila në atë kohë ishte e izoluar në arenën ndërkombëtare.
Në vendimin e vitit të kaluar, Sarkozy u shpall fajtor vetëm për akuzën e komplotit kriminal, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat e korrupsionit, shpërdorimit të burimeve publike libiane dhe financimit të paligjshëm të fushatës.
Megjithatë, apelimi i bërë si nga vetë Sarkozy ashtu edhe nga prokuroria ka çuar në rigjykimin e plotë të çështjes në Apel.
Në këtë proces, që nis të hënën, ish-presidenti 71-vjeçar përballet me rrezikun e një dënimi deri në 10 vite burg nëse shpallet fajtor.
Në total, dhjetë persona janë përfshirë në rigjykimin në shkallë të dytë për këtë çështje.