Sarandë: Damian Gjiknuri takim me mësuesit, thekson rëndësinë e arsimtarëve dhe angazhimin për përmirësimin e kushteve

Damian Gjiknuri, kandidati i PS për deputet në Qarkun e Vlorës, zhvilloi një takim me mësuesit e Sarandës, ku theksoi rëndësinë e investimeve në arsimin dhe kushteve të mësuesve për të siguruar një të ardhme më të mirë për brezat e rinj.

Gjatë takimit, ai vlerësoi rolin e mësuesve si formues të karaktereve dhe transmetues të dijes, duke theksuar se pa një arsim të mirë, e ardhmja e vendit nuk mund të ndërtohet siç duhet.

Gjiknuri, i cili vjen nga një familje arsimtarësh, foli me shumë pasion për lidhjen e tij të ngushtë me arsimin. Ai përmendi gjyshin e tij, i cili kishte themeluar shkollën shqipe në zonën e bregdetit dhe në Lumin e Vlorës në vitin 1920. Sipas tij, arsimi ka qenë dhe mbetet një prioritet për qeverinë e drejtuar nga Edi Rama. Ai theksoi se një nga objektivat e mandatin tjetër është rritja e pagës mesatare të mësuesve deri në 1500 euro, si dhe vazhdimi i investimeve në infrastrukturën arsimore, për të siguruar kushte më të mira për mësimdhënësit dhe nxënësit.

Në lidhje me kandidaturën e tij, Gjiknuri i bëri thirrje mësuesve të Sarandës që të mbështesnin atë, duke theksuar se ai është një politikan i provuar, që di të lëvizë në nivelin e lartë politik për të arritur rezultatet e dëshiruara. Ai e vuri theksin në faktin se për Sarandën, ai është kandidatura që lidh interesat e komunitetit me ato të qeverisë, duke siguruar një përfaqësim të denjë dhe të efektshëm.

Mësuesit e pranishëm në takim shprehën vlerësimet e tyre të larta për figurën e Damian Gjiknurit. Ata theksuan se ai është një kandidat që e ka dëshmuar aftësinë e tij në pozitat që ka mbajtur më parë dhe ka bërë gjithmonë më të mirën për komunitetin. Ata e vlerësuan si kandidaturën e duhur për të pasur një përfaqësim të fuqishëm dhe të efektshëm, duke besuar se ai do të vazhdojë të luftojë për përmirësimin e kushteve për arsimin dhe mësuesit.

Në fund, Gjiknuri përsëriti angazhimin e tij për të mbështetur arsimin dhe mësuesit, duke siguruar që investimi në kapitalin njerëzor do të jetë një prioritet i vazhdueshëm i qeverisë. Ai theksoi se nëse mësuesit janë të fuqizuar dhe të mbështetur, ata do të mund të formësojnë breza të rinj që janë të përgatitur për sfidat e së ardhmes.

Ndaj Postimin: