Samiti i SEECP sjell kufizime të lëvizjes në Tiranë më 16 qershor, njofton Policia e Shtetit

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e delegacioneve të huaja, duke paralajmëruar qytetarët se disa rrugë të rëndësishme në Tiranë do të kenë kufizime dhe ndalime të qarkullimit, parkimit dhe lëvizjes së këmbësorëve gjatë datës 16 qershor, për shkak të samitit të SEECP.

Në prag të zhvillimit të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), Policia e Shtetit ka zbardhur masat e plota të sigurisë që do të zbatohen gjatë qëndrimit të delegacioneve të huaja në Tiranë. Ndërhyrjet synojnë të garantojnë siguri maksimale dhe një lëvizje të rregullt të autokolonave të kryesuara nga Presidentët e vendeve pjesëmarrëse.

Sipas njoftimit zyrtar, më 16 qershor 2025, do të ketë bllokime dhe kufizime të përkohshme të trafikut në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit. Rrugët që preken nga masat janë: Aeroporti i Rinasit, Mbikalimi i Kasharit, Autostrada “Durrës-Tiranë”, Unaza e Re, rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit, Rruga “George W Bush”, Rruga “Urani Pano” dhe Rruga “Dervish Hima”, në drejtim të ardhjes së delegacioneve.

Në kthimin e delegacioneve, trafiku do të kufizohet në segmentet: Rruga “George W Bush”, Rruga e Elbasanit, rrethrrotullimi i Saukut, Unaza e Re, Sheshi “Shqiponja”, Autostrada “Tiranë-Durrës”, Mbikalimi i Kasharit dhe Aeroporti i Rinasit. Këto kufizime synojnë një menaxhim të sigurt të transportit diplomatik dhe shmangien e çdo problematike gjatë aktivitetit ndërkombëtar.

Përveç akseve kryesore, Policia bën të ditur se gjatë aktivitetit do të ndalohet lëvizja, parkimi i automjeteve dhe qarkullimi i këmbësorëve në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e Dibrës. Ky ndalim është i përkohshëm dhe do të jetë në fuqi për gjithë kohën e samitit, duke u përshtatur me oraret e mbërritjes së delegacioneve në aeroport.

Autoritetet shprehen se orari i saktë i kufizimeve do të varet nga lëvizja reale e delegacioneve, duke kërkuar bashkëpunim dhe mirëkuptim maksimal nga qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve. Policia apelon për respektim të masave të vendosura, në mënyrë që të garantohen rendi dhe siguria publike gjatë një eventi të rëndësishëm për vendin.

Ky samit i nivelit të lartë konsiderohet si një moment kyç për diplomacinë shqiptare, ndaj strukturat e rendit janë angazhuar për të ofruar standardet më të larta të sigurisë dhe mirëorganizimit. Bashkëpunimi i qytetarëve mbetet thelbësor në këtë proces.

Ndaj Postimin: