Ish-deputeti Ervin Salianji ka akuzuar drejtuesit e Partisë Demokratike për një proces që ai e cilëson “farsë zgjedhore” në degën e PD në Himarë, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë situatë me vendimmarrjen e kryetarit të partisë, Sali Berisha.
Në një deklarim publik, Salianji tha se është e papranueshme që, sipas tij, të shkatërrohen garat brenda partisë dhe të përjashtohen anëtarët nga vendimmarrja.
Ai deklaroi se ndodhej në Himarë për të dëgjuar shqetësimet e strukturave lokale të PD-së dhe renditi personat me të cilët u takua.
“Sot isha në Himarë, së bashku me sekretarin e degës, dy ish-kryetarët e degës, ish-kandidaten për Bashkinë dhe drejtuesin e ish-të përndjekurve politikë, për të dëgjuar shqetësimet reale të demokratëve lidhur me farsën që është zhvilluar në këtë degë”, deklaroi Salianji.
Ai e cilësoi të papranueshme ndërhyrjen e lidershipit në proceset e brendshme.
“Është e papranueshme që lidershipi që sot drejton demokratët të shkatërrojë garat, të pilotojë kryetarë pa pyetur anëtarësinë dhe, aq më keq, ta përjashtojë anëtarët dhe drejtuesit e strukturave nga vendimmarrja”, tha ai.
Salianji deklaroi se ajo që po ndodh në Himarë nuk mund të pranohet nga demokratët.
“Ajo që po ndodh në Himarë është e papranueshme për çdo demokrat që beson te parimet dhe te vota e lirë. Demokratët vendosin. Demokratët duhet të dëgjohen”, u shpreh ai.
Në deklaratën e tij, Salianji shtoi se pa respekt për anëtarësinë dhe pa demokraci të brendshme, sipas tij, Partia Demokratike humbet besueshmërinë.
“Pa respekt për anëtarësinë, nuk ka opozitë morale; pa demokraci të brendshme, nuk ka besueshmëri përballë qytetarëve”, tha Salianji.