Sabotim në Patos-Marinëzë? A do ta lejojë shteti “normal” shtetin “autik” të bllokojë vendburimin më të madh të naftës në vend

Një situatë e pazakontë dhe e rrezikshme për sektorin energjetik është krijuar ditët e fundit në vendburimin e Patos-Marinëzës. Javën e shkuar, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bllokoi transportin dhe nxjerrjen jashtë për shitje të naftës bruto të Patos-Marinëzës, me qëllim vjeljen e një gjobe ndaj kompanisë Bankers Petroleum.

Ky veprim, i paraqitur publikisht si procedurë administrative, u përkthye në praktikë si ndalim i vendburimit të Patos-Marinëzës, ose të paktën kështu u komunikua. Një ndalim i tillë do të përbënte një precedent të rrezikshëm dhe me pasoja të pallogaritshme për industrinë e naftës në Shqipëri.

Më datë 10 dhjetor 2025, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), me shkresë zyrtare me numër protokolli 4844, të firmosur nga drejtori Erlind Sula, i është drejtuar Ministria e Financave, Albpetrol dhe vetë Bankers Petroleum, duke kërkuar në mënyrë kategorike që vendburimi i Patos-Marinëzës të mos ndalet.

Qëndrimi i AKBN është i qartë: vendburimi nuk duhet dhe nuk mund të ndalet. Dhe kjo nuk është thjesht një çështje formale. E vërteta është se vendburimet e naftës nuk ndalen kurrë. Patos-Marinëza nuk është ndalur as gjatë ndërrimit të sistemeve teknologjike, as në vitin 1997, dhe as gjatë pandemisë globale. Ndalja e tij do të sillte dëme të rënda teknike, mjedisore dhe ekonomike, ndërsa kostot për rikthimin në funksion do të ishin astronomike.

Ajo që ngre pikëpyetje serioze është fakti se një institucion shtetëror tenton të bllokojë funksionimin e një vendburimi strategjik përmes një konflikti administrativ, duke vepruar sikur sektorët kritikë të ekonomisë mund të trajtohen me logjikë gjobe dhe penaliteti, pa marrë parasysh pasojat afatgjata për shtetin dhe interesin publik.

Ne kemi qenë në terren, në vendburimin e Patos-Marinëzës, dhe kemi marrë informacion të drejtpërdrejtë mbi situatën reale, të cilin do ta ndiqni në videon e mëposhtme. Pyetja që mbetet është e thjeshtë, por thelbësore: a do ta lejojë shteti “normal” që shteti “autik” të rrezikojë një nga asetet më të rëndësishme energjetike të vendit?

Ndaj Postimin: