Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Europa nuk është në gjendje të garantojë sigurinë e saj pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Deklarata u bë gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian.
“Të gjithë ata që mendojnë se Europa mund të mbrohet vetë pa Shtetet e Bashkuara, le të vazhdojnë të ëndërrojnë”, u shpreh Rutte, duke theksuar rolin thelbësor të SHBA-ve në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.
Komentet e tij vijnë disa ditë pas zhvillimeve të fundit në marrëdhëniet mes SHBA-ve, Bashkimit Europian dhe NATO-s, lidhur me çështjen e Groenlandës dhe të ardhmen e sigurisë në Arktik. Sipas Rutte, marrëveshja e arritur mes SHBA-ve dhe NATO-s për Arktikun synon uljen e tensioneve dhe krijimin e një kornize të përbashkët bashkëpunimi.
Ai shpjegoi se marrëveshja parashikon dy shtylla kryesore. Shtylla e parë i jep NATO-s një rol më të madh në mbrojtjen e Arktikut, me fokus të veçantë frenimin e ndikimit rus dhe kinez në rajon. Shtylla e dytë, sipas Rutte, nuk përfshin NATO-n dhe lejon Shtetet e Bashkuara, Danimarkën dhe Groenlandën të vijojnë bisedimet dypalëshe.
Rutte u ndal edhe te rëndësia strategjike e Groenlandës, duke theksuar pozicionin e saj mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut, si dhe rolin kyç që ishulli luan në çështjet e sigurisë globale.