Banorët e Jetës së Re ngrenë alarmin për mungesën e kapakëve të pusetave në rrugën e fshatit, duke paralajmëruar rrezik të madh për këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve.
Pamjet nga segmenti që lidh fshatin “Jeta e Re” (Çiflik) me qytetin e Belshit tregojnë një situatë të rrezikshme që vazhdon prej kohësh. Rruga, e cila përshkon zonën e banuar, është shndërruar në shqetësim të madh për komunitetin dhe përdoruesit e saj, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Në një gjatësi prej rreth 800 metrash janë evidentuar të paktën 12 puseta pa kapakë. Këto gropa përbëjnë rrezik serioz aksidentesh, sidomos gjatë orëve të natës kur dukshmëria është e ulët, por edhe ditën, kur automjetet shpesh detyrohen të shmangin pengesat në mënyrë të rrezikshme.
Banorët e zonës tregojnë se kapakët janë thyer ose vjedhur, ndërsa institucionet përgjegjëse si Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe firmat kontraktore nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete. Sipas tyre, neglizhenca institucionale po rrezikon jetën e qindra qytetarëve që përdorin këtë aks çdo ditë.
Problemi nuk kufizohet vetëm tek siguria e qarkullimit. Gjatë verës, mungesa e kapakëve është shoqëruar edhe me përhapjen e erërave të rënda nga puseta, sidomos pranë zonave të banuara. Kjo ka shtuar shqetësimet për shëndetin publik dhe ndotjen e mjedisit.
Gjendja është e përkeqësuar edhe në drejtim të fshatit Kosovë e Vogël, ku rruga shfaq dëmtime të shtresave dhe çarje të theksuara. Automjetet shpesh detyrohen të devijojnë nga korsia, duke rritur më tej rrezikun për aksidente.
Banorët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për rikthimin e sigurisë dhe funksionalitetit të rrugës. Ata u bëjnë apel institucioneve që të marrin masa konkrete para se situata të përfundojë në tragjedi.
Për komunitetin e Jetës së Re, kjo rrugë mbetet arteria kryesore që lidh fshatrat me qytetin dhe çdo ditë e kaluar pa zgjidhje është një kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e tyre.