Këto pamje i përkasin rrugës që lidh fshatin Bedat me fshatin Adriatik, në Njësinë Administrative Remas, Bashkia Divjakë. Një aks rrugor që prej muajsh është kthyer në shqetësim të vazhdueshëm për banorët e zonës, për shkak të amortizimit të theksuar dhe pranisë së gropave të shumta.
Problematika bëhet edhe më e dukshme në ditët me reshje shiu, kur gropat mbushen me ujë, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke rritur rrezikun për drejtuesit e automjeteve.
Por shqetësimi nuk lidhet vetëm me lëvizjen e përditshme të banorëve. Kjo rrugë është pjesë e aksit që të çon drejt bregdetit dhe plazhit të fshatit Adriatik, duke e bërë atë të rëndësishme edhe për vizitorët që zgjedhin këtë zonë gjatë sezonit turistik.
Pavarësisht problematikës së vazhdueshme dhe kërkesave të banorëve për ndërhyrje, deri më tani, sipas tyre, nuk ka pasur investime konkrete për përmirësimin e gjendjes së rrugës.
Një situatë që rikthen në vëmendje edhe premtimet e bëra ndër vite, veçanërisht gjatë fushatave elektorale, të cilat, sipas banorëve, ende nuk janë përkthyer në zgjidhje konkrete.
Dikur, Bedati dhe Adriatiku ishin fshatra ku u internuan intelektualë gjatë regjimit komunist. Sot, banorët e këtyre zonave vijojnë të kërkojnë vëmendjen e institucioneve dhe një investim që do t’u japë fund vështirësive të përditshme.
Ndërsa përgjegjësitë mbeten për t’u sqaruar, rruga vazhdon të amortizohet, bashkë me durimin e banorëve që presin një zgjidhje.