Zbulohet skema e frikshme e grupit të “Rrumit”, që manipulonte dokumente pronësie, ndërsa planifikonte atentate ndaj rivalëve në bregdetin e Durrësit.
Grupi i udhëhequr nga Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi”, kishte ndërtuar një rrjet të sofistikuar falsifikimi, ku dokumentet e pronësisë mbi tokat ndryshoheshin përmes mashtrimeve në zyrat shtetërore të Durrësit. Ata shtonin në mënyrë fiktive parcela, manipulonin kartelat kadastrale dhe i regjistronin tokat si “arë”, duke zëvendësuar zërat origjinalë “pyll” ose “pa frut”.
Hetimet zbuluan se grupi kishte depërtuar deri në strukturat e ish-Hipotekës së Durrësit, ku dokumentet falsifikoheshin e më pas regjistroheshin si të ligjshme. Skema u zbulua pas publikimit të bisedave në aplikacionin Sky Ecc nga emisioni “Në Shënjestër”, që treguan komunikimet e Lahos me bashkëpunëtorët e tij.
Në një nga bisedat, përmendet edhe emri i kryeministrit Edi Rama, ku flitet për një sipërfaqe prej 500 dynymësh në Durrës. Sipas transkripteve, një bashkëpunëtor i Vullnet Muçës, vëllai i “Rrumit”, i shkruante se “i gjati” kishte dhënë miratimin për të nisur projektin me një arkitekt. Ata diskutonin për ndërtimin e kapanoneve në tokë bujqësore që më pas do jepeshin me qira.
Pasi arrinin të regjistronin pronat në mënyrë të paligjshme, grupi i shiste ato tek kompani apo biznesmenë të interesuar për zonat e lakmuara të bregdetit të Lalëzit e Shetajt. Një pjesë e madhe e këtyre pasurive ishin regjistruar në emër të banorëve të thjeshtë, të cilët as nuk e dinin se figuronin si pronarë.
Këto transaksione çuan në tensione të forta në terren. Në tetor të vitit 2023, një konflikt fizik shpërtheu në Kepin e Rodonit, ku u përfshinë anëtarë të familjes Kaçuli dhe përfaqësues të Kishës Katolike. Përplasja ishte vetëm një pasojë e etjes për pronat e bregdetit që përfshinin edhe interesa kriminale.
Por për “Rrumin”, prona nuk ishte vetëm burim fitimi. Ai planifikonte t’i përdorte ato për të “shlyer hesapet” me rivalët e tij në Durrës. Në komunikime të tjera të Sky Ecc, ai i ofronte tokë bregdetare grupit të Avdylajve në këmbim të eliminimit të Plaurent Dervishit, kreut të një bande rivale.
Hetimet treguan se të ardhurat nga këto pasuri përdoreshin për të financuar aktivitetin kriminal të grupit dhe për të pastruar paratë përmes investimeve të ligjshme. Rivaliteti me Dervishin çoi në një seri atentatesh, përfshirë edhe ngjarjen e njohur të 20 qershorit 2019 në Shijak, ku grupi i Dervishit ra në pritë të armatosur.
Vetëm pak muaj më pas, më 1 nëntor 2019, ndodhi atentati në Shkozet ndaj makinës ku udhëtonin prokurori i Durrësit Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho. Prokurori u plagos rëndë, ndërsa shoferi Andi Maloku humbi jetën. Dervishaj, i ekstraduar më vonë nga Dubai, pranoi se objektivi i atentatit ishte vetë “Rrumi”.
Në atë kohë, Aleksandër Laho ishte nën hetim nga SPAK-u për korrupsion aktiv ndaj zyrtarëve publikë. Ai kishte korruptuar drejtues të Avokaturës së Shtetit në Durrës për të mos apeluar vendime që favorizonin tjetërsimin e pronave shtetërore.
Pas atentatit, hetuesit gjetën në telefonin e tij video e dokumente që tregonin gjithë mekanizmin e manipulimeve kadastrale. Në mes tyre ishin edhe prova të dhunës ndaj avokatit të shtetit Irgen Kërçuku, të cilin “Rrumi” e kishte filmuar dhe grabitur pasi e kishte paguar për t’i mbyllur një çështje.
Provat e siguruara nga SPAK vërtetuan se grupi kishte tjetërsuar një sipërfaqe prej 189 mijë metrash katrorë tokë bujqësore, që duhej të ishte pronë shtetërore. Këto prona regjistroheshin në emra fiktivë dhe shiteshin më pas tek investitorë të fuqishëm.
Në biseda të tjera, të zhvilluara me Elidon Avdylin, nipin e Astrit Avdylit, “Rrumi” premtonte shpërblim në tokë bregdetare në këmbim të vrasjes së rivalëve të tij – përfshirë Plaurent Dervishin, Lulzim Berishën dhe Mond Çekiçin. Ky i fundit u ekzekutua në mars të vitit 2021 në Durrës.
Në komunikimet e Sky Ecc, “Rrumi” shpjegonte hierarkinë e kundërshtarëve: “Koka e grupit është Luli, pastaj Cekja e Lenti… ata e xhirojnë qytetin.” Ndërsa bashkëbiseduesi i tij Aldo Avdyli i përgjigjej se “Lulit duhet t’i biem direkt”. Biseda tregonte se grupi planifikonte deri në dhjetë vrasje brenda një viti.
Në fund, “Rrumi” përmendte edhe kryeministrin Rama në kontekst paralizues për veprimet e tyre: “Po na erdhi ky Rama këtu, s’bëjmë dot shumë se do na fiki.”
Kjo dosje, e cila zbulon një ndër rrjetet më të errëta të korrupsionit dhe krimit në Durrës, tregon se pas fasadës së pasurive luksoze dhe investimeve bregdetare, fshihej një sistem i tërë që ndërthurte pushtetin me mafien.


