Rrjet për kalim të paligjshëm drejt Italisë, tre të arrestuar në Tiranë; 2,500 euro për person

Një operacion i policisë në Tiranë ka çuar në arrestimin e tre shtetasve të dyshuar për organizimin dhe transportimin e emigrantëve të paligjshëm me destinacion vendet e Bashkimit Evropian, kundrejt përfitimit financiar.

Në pranga kanë rënë H. S., 28 vjeç, H. Dh., 43 vjeç dhe H. M., 28 vjeç. Dy prej tyre, H. S. dhe H. Dh., janë kapur në flagrancë pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ndërsa po transportonin me automjet pesë emigrantë që synonin të largoheshin drejt Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave paraprake hetimore, personave të transportuar u ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së, me destinacion përfundimtar Italinë, kundrejt pagesës prej 2 500 eurosh për secilin.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar dyshimi se shtetasi H. M. kishte rol organizues, duke u marrë me grumbullimin dhe koordinimin e emigrantëve që do të transportoheshin në mënyrë të paligjshme.

Automjeti i përdorur për transportimin e tyre është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës për të zbardhur plotësisht skemën dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033