Rritje e infeksioneve te fëmijët në Berat

Temperaturat e larta dhe lagështira e rënduar kanë shkaktuar rritje të infeksioneve gastro-intestinale, me deri në 15 fëmijë të shtruar çdo ditë në spital.

Dy javët e fundit, reparti i Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit po përballet me një fluks të pazakontë fëmijësh të prekur nga viroza. Mjekët raportojnë se krahas virozave të zakonshme, po shtohen edhe rastet me çrregullime gastro-intestinale dhe intoksikacione.

Sipas shefit të repartit, dr. Vladimir Kumaraku, çdo ditë po shtrohen nga 10 deri në 15 fëmijë me shenja si dhimbje barku, dhimbje stomaku, të vjella dhe diarre të forta. Moshat më të prekura janë ato nga 0 deri në 3 vjeç, ndërsa intoksikacionet po prekin edhe fëmijë më të rritur.

Mjeku shpjegon se ky rritim i rasteve lidhet ngushtë me kushtet klimatike të fundgushtit – temperatura të larta, lagështirë e rënduar dhe ndryshime të shpejta të motit. Këto kushte favorizojnë përhapjen e infeksioneve virale.

Në shumicën e rasteve, fëmijët janë trajtuar në urgjencën e pediatrisë dhe kanë pasur ecuri të mirë pa komplikacione të rënda. Megjithatë, çdo ditë në repartin e infektivit janë regjistruar edhe 2-3 raste që kanë kërkuar kujdes më të specializuar.

Për simptomat, dr. Kumaraku thekson se klinika është e njohur: dhimbje të forta barku e stomaku, të vjella të përsëritura dhe diarre. Këto gjendje kërkojnë hidratim intensiv, ndaj trajtimi kryesor ka përfshirë infuzione dhe Ringer.

Një pjesë e madhe e prindërve janë alarmuar nga shenjat e para dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore pa vonesë, çka ka ndihmuar në shmangien e komplikacioneve. Mjekët i këshillojnë të gjithë të shmangin ushqimet e prishura, të kujdesen për higjienën dhe të sigurojnë që fëmijët të pinë mjaftueshëm lëngje.

Specialistët paralajmërojnë se situata mund të zgjasë edhe në javët e para të shtatorit, nëse temperaturat mbeten të larta. Rekomandimi është monitorimi i kujdesshëm i fëmijëve dhe ndërhyrja e shpejtë në rast simptomash.

Në këtë periudhë, spitali i Beratit vijon të jetë në gatishmëri të lartë për të përballuar numrin e shtuar të vizitave dhe shtrimeve, ndërsa mjekët kërkojnë bashkëpunim të ngushtë me prindërit për të mbrojtur shëndetin e të vegjëlve.

Ndaj Postimin: