Rritja e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor, temë e forumit në Lushnjë

Në sallën e Këshillit Bashkiak të Lushnjes, Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë organizoi një forum diskutimi mbi rritjen e transparencës dhe llogaridhënies lidhur me buxhetin e sistemit gjyqësor.

Ky forum u bë bashkë me pjesëmarrjen e personaliteteve të rëndësishëm nga fusha e drejtësisë dhe shoqërisë civile, duke përfshirë Kryetarin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Lushnje, Zotin Edison Tatoshaj, Drejtorin e Drejtorisë së Buxhetit në KLGJ, Zotin Xhevdet Haxhiu, Drejtorin Ekzekutiv të Qendrës për Informim të Lirë, Zotin Sami Nezaj, si dhe ekspertin e kësaj qendre, Zotin Fatos Çoçoli.

Në forum morën pjesë gjithashtu gjyqtarë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, raporton gazetarja Mukades Dervishi.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të Lushnjes, Zoti Edison Tatoshaj, gjatë fjalës së tij theksoi se kjo gjykatë ka krijuar të gjitha kushtet infrastrukturore për një punë normale dhe efikase të 9 gjyqtarëve që punojnë në të. Sipas Tatoshajt, infrastruktura dhe ambientet e punës janë të përshtatshme për të siguruar zhvillimin e proceseve gjyqësore në kushte optimale.

Nga ana e tij, Zoti Xhevdet Haxhiu, Drejtor i Drejtorisë së Buxhetit në Këshillin e Lartë Gjyqësor, vuri në dukje faktin se, pavarësisht nevojave të shumta të gjykatave në vend, buxheti i sistemit gjyqësor ka pasur një rritje të vazhdueshme nga viti në vit, duke përfshirë edhe vitin aktual. Kjo rritje e buxhetit, sipas tij, tregon angazhimin e institucioneve shtetërore për përmirësimin e kushteve dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.

Në vazhdim, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Informim të Lirë, Zoti Sami Nezaj, paraqiti rezultate të një projekti monitorues që ka përfshirë 11 institucione të sistemit gjyqësor për vitin 2023-2024. Ky projekt ka vlerësuar institucionet drejtuese të sistemit gjyqësor, gjykatat, strukturat e posaçme dhe organet e vetingut. Sipas Nezajt, gjetjet e këtij projekti janë referuar institucioneve kontrolluese, dhe disa prej tyre kanë implementuar tashmë masat e nevojshme për përmirësimin e situatës.

Gjatë forumit, pjesëmarrësit diskutuan edhe për rëndësinë e një buxheti të duhur dhe të shpenzuar në mënyrë transparente, për të rritur besimin e publikut në drejtësi dhe për të garantuar efikasitetin e sistemit gjyqësor. Të gjithë të pranishmit theksuan rëndësinë e monitorimit dhe transparencës në mënyrën si shpenzohen fondet publike për drejtësinë, si dhe për përfshirjen e qytetarëve në procesin e kontrollit të buxhetit të këtij sektori të rëndësishëm.

Ky forum u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, ku të gjithë pjesëmarrësit kontribuan me mendime dhe propozime për të forcuar më tej transparencën dhe llogaridhënien në sistemin gjyqësor, duke siguruar që fondet dhe resurset publike të shpenzohen në mënyrë të duhur dhe të efektshme.

Ndaj Postimin: