Sëmundjet renale kanë treguar një rritje të ndjeshme në Fier, një qytet i cili po përballet me një problem serioz shëndetësor.
Sipas statistikave të vitit 2024, janë regjistruar 1200 pacientë të kartelizuar për trajtim të sëmundjeve të veshkave, një shifër alarmante. Prej këtyre, 75 pacientë kanë nevojë urgjente për transplant renal, ndërsa 120 të tjerë janë në trajtim me hemodializë.
Shifra të tilla janë një pasqyrë e rritjes së ndjeshme të numrit të të prekurve nga problemet renale, që kanë shndërruar këtë çështje në një urgjencë shëndetësore. Sipas mjekes nefrologe Shpresa Stase, grupmosha më e prekur nga këto sëmundje është ajo mbi 60 vjeç, ku shumica janë individë të sëmurë kardiakë, diabetikë, apo ata që kanë pasur infeksione të traktit urinar. Ky grup i popullsisë është më i ndjeshëm ndaj komplikacioneve të lidhura me funksionimin e veshkave.
Një nga shkaqet kryesore të rritjes së sëmundjeve renale është jeta sedentare, kequshqyerja, dhe përdorimi i tepërt i alkoolit. Mjekja Stase thekson rëndësinë e depistimit të hershëm të sëmundjeve renale, duke pasur parasysh se ato shpesh mund të kalojnë pa u diagnostikuar deri në faza të avancuara, kur trajtimi është më i vështirë dhe i shtrenjtë.
Në këtë kuadër, mjekja thekson se ndërgjegjësimi dhe kontrolli i rregullt janë thelbësore për të parandaluar përkeqësimin e shëndetit renal. Në muajin mars, i cili është shpallur Muaji i Ndërgjegjësimit për Shëndetin e Veshkave, ka një shtim të aktivitetit për të informuar dhe ndihmuar njerëzit që të kujdesen më shumë për shëndetin e veshkave të tyre.
Studiuesit parashikojnë se, nëse nuk ndërmerren masa të rëndësishme, sëmundjet renale mund të bëhen shkaku i pestë më të madh të vdekjeve botërore deri në vitin 2040. Ky alarm është një thirrje për shtimin e vëmendjes ndaj menaxhimit të sëmundjeve të veshkave dhe ndikimit të tyre në cilësinë e jetës së pacientëve.
Në këtë drejtim, dieta ushqimore luan një rol të jashtëzakonshëm në parandalimin dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve. Ndërkohë që kujdesi ndaj trupit dhe ndjekja e një stili jetese të shëndetshëm mund të jenë faktorë të rëndësishëm për të ngadalësuar përparimin e këtyre sëmundjeve.
Mjekja Shpresa Stase apelon për më shumë investime në fushën e shëndetit dhe për një angazhim të mëtejshëm në luftën kundër sëmundjeve renale, që po bëhen një shqetësim i madh për qytetin e Fierit dhe për Shqipërinë në përgjithësi.