Administrata e Donald Trump ka nisur përgatitjet për ngritjen e qendrave të reja të ndalimit, duke përfshirë edhe angazhimin e Marinës amerikane, për të përballuar rritjen e numrit të arrestimeve të migrantëve në kufi.
Administrata e Trump ka vënë në lëvizje një plan të gjerë për të shtuar kapacitetet e ndalimit të migrantëve, pasi muajt e fundit numri i personave të arrestuar ka shënuar rritje të ndjeshme. Sipas raportimeve të CNN, Pentagoni, përmes Komandës së Sistemeve të Furnizimit të Marinës, do të marrë përsipër procedurat kontraktuale për ngritjen e qendrave të reja të ndalimit, me një buxhet të parashikuar prej 10 miliardë dollarësh.
Të dhënat më të fundit flasin për rreth 60 mijë të ndaluar në muajin shtator, një shifër që ka tejkaluar ndjeshëm kapacitetet ekzistuese. Vetëm një vit më parë, numri i personave në ndalim ishte 38 mijë. Mbipopullimi ka sjellë kushte aspak dinjitoze, nga higjiena e dobët e deri te trajtimi i papërshtatshëm nga personeli.
Agjencia e Imigracionit dhe Doganave (ICE) synon ta çojë kapacitetin e shtratit në të paktën 107 mijë vende deri në janar 2026. Departamenti i Sigurisë Kombëtare, megjithatë, është përballur me vonesa dhe refuzime kontratash në përpjekjet për të ndërtuar objekte të reja, ndaj përfshirja e Marinës shihet si një mënyrë për të përshpejtuar procesin.
Qendrat e reja do të kenë strukturë kryesisht çadrash, të ngjashme me kompleksin e Fort Bliss në Teksas, i cili hyri në funksion në muajin gusht. Raportime të shumta nga migrantët e ndaluar në këtë kompleks kanë ngritur shqetësime për mungesë kujdesi mjekësor, akses të vështirë në avokatë dhe kushte të dobëta sanitare.
Secila qendër e re pritet të ketë kapacitet deri në 10 mijë persona. Vendndodhjet e parashikuara përfshijnë shtetet Luiziana, Georgia, Pennsylvania, Indiana, Utah dhe Kansas. Punimet për disa prej tyre pritet të nisin muajin e ardhshëm, sipas burimeve të CNN-it.
Për të lehtësuar procedurat, Marina në muajin korrik ka zgjeruar një mekanizëm ekzistues kontraktimi, i përdorur më parë për operacione jashtë vendit. Tani ai përfshin edhe mundësinë që kontraktorët civilë të ofrojnë infrastrukturë dhe shërbime për mbajtjen e migrantëve në kujdestari administrative.
Në momentin e rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, sistemi i ndalimit të migrantëve kishte kapacitet afro 50 mijë vende, ndër më të mëdhenjtë në botë. Shpallja e synimit për ta dyfishuar këtë kapacitet u shoqërua me një financim të ri prej 45 miliardë dollarësh, i miratuar në kuadër të reformave fiskale republikane.
Ndërkohë, për shkak të mungesës së vendeve në qendrat e ICE, janë përdorur burgje lokale dhe madje edhe objekte të vjetra që ishin mbyllur. Kjo situatë ka sjellë përfitime të mëdha për dy korporata të mëdha private të burgjeve: CoreCivic dhe GEO Group. Të dyja kompanitë kanë raportuar rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe kanë nënshkruar kontrata të reja për zgjerimin e kapaciteteve.
Por kushtet e qëndrimit në këto qendra kanë nxitur kritika të forta nga organizatat e të drejtave të njeriut. Vetëm këtë vit janë regjistruar më shumë se 20 raste vdekjesh në qendrat e ICE. Shumë nga të ndaluarit kanë raportuar mungesë trajtimi mjekësor, kequshqyerje, kushte të ndotura higjienike dhe vështirësi serioze në marrjen e ndihmës ligjore.
Organizatat e mbrojtjes së të drejtave paralajmërojnë se rritja e kapacitetit pa transparencë dhe pa kontrolle të jashtme vetëm sa rrit rrezikun e abuzimeve dhe shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare për trajtimin e personave të ndaluar.


