Rritja e pensioneve nga 2026: kush përfiton realisht?

Nga janari 2026 nis zbatimi i skemës së re të pensioneve, por të dhënat tregojnë se vetëm një e treta e pensionistëve marrin rritjen më të madhe, ndërsa shumica përfitojnë shtesa simbolike.

Prej fushatës së zgjedhjeve të fundit parlamentare, rritja e pensioneve u rikthye si një nga premtimet kryesore të mazhorancës socialiste. Me sloganin se deri në vitin 2030 pensioni mesatar do të arrijë në 400 euro për ata me sigurime të plota dhe 200 euro për pensionin minimal, socialistët siguruan 83 mandate dhe e përfshinë këtë premtim në programin qeverisës “Shqipëria 2030”.

Disa muaj pas zgjedhjeve, ndërsa nisi diskutimi për projekt-buxhetin 2026, kryeministri Edi Rama publikoi një video në rrjetet sociale, ku konfirmoi rritjen e pensioneve që do të fillojë të aplikohet nga janari 2026. Rritja, sipas tij, do të jetë e përmuajshme dhe e ndarë sipas kategorive të përfituesve.

Kryeministri deklaroi se vlerat e rritjes do të dyfishohen në vitin 2027, trefishohen në vitin 2028 dhe do të arrijnë deri në katërfishim në vitin 2029, duke synuar objektivin final të pensionit mesatar prej 400 eurosh. Por reagimet e para nga pensionistët janë skeptike.

Faik Xhani, 77 vjeç, ish-mësues nga Mati dhe drejtues prej vitesh i Shoqatës së Pensionistëve të Shqipërisë, e sheh këtë premtim si një tjetër iluzion elektoral. Ai shprehet se të moshuarit përballen me shpenzime të mëdha mujore që lidhen me ilaçe, ushqime, energji, ujë e telefon, ndërsa pjesa dërrmuese prej kohësh nuk e shijon dot as mishin në tryezë. “Po rrofshin emigrantët dhe fëmijët tanë që na ndihmojnë, ndryshe do hanim njëri-tjetrin,” thotë ai me ironi.

Xhani e quan njoftimin e qeverisë “petulla me ujë”, duke argumentuar se rritja e paralajmëruar nuk ka efekt real pa bonusin e fundvitit dhe pa indeksimin e plotë. “Vetëm nëse jep të gjitha këto, mund të quhet hap pozitiv,” shton ai. Pavarësisht 42 viteve punë, ai merr sot vetëm 17 mijë lekë pension të pjesshëm.

Sipas të dhënave zyrtare, pensioni mesatar urban aktualisht është 19,409 lekë, ndërsa ai rural 11,709 lekë. Objektivi i qeverisë është që deri në 2029 këto shifra të arrijnë përkatësisht 40 mijë lekë dhe 20 mijë lekë. Megjithatë, efekti i rritjes së shpallur nuk është i njëjtë për të gjithë.

Në Shqipëri ka 745,137 pensionistë. Nga këta, vetëm 287,656 përfitojnë pension të plotë, ndërsa 343,763 marrin pension të pjesshëm. Gjithashtu, 113,718 pensione klasifikohen si familjare ose invaliditeti. Kategoria më e madhe është ajo e pensionistëve urbanë, me 552,512 përfitues, ku pjesa më e vogël është ajo që përfiton edhe rritjen më të madhe.

Nga ky grup, 241,431 persona kanë pension të plotë urban dhe janë ata që do të marrin rritjen më të lartë – rreth 1,800 lekë në muaj, ose 21,600 lekë në vit. Ndërsa 311,081 pensionistë të tjerë urbanë me pensione të pjesshme do të përfitojnë vetëm 800 lekë shtesë në muaj, një vlerë e konsideruar modeste përballë inflacionit.

Eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj, thekson se mekanizmi i indeksimit dhe shpërndarjes së shtesave favorizon një grup të vogël përfituesish, duke krijuar një perceptim të rremë përmirësimi, ndërsa pjesa më e madhe e pensionistëve mbetet me rritje që nuk ndikojnë realisht në cilësinë e jetesës.

Edhe në zonat rurale panorama nuk është më pozitive. Aty numërohen 87,907 pensionistë, ku 46,225 marrin pension të plotë dhe 32,682 të pjesshëm. Rritja e parashikuar për këtë kategori është rreth 1,000 lekë në muaj.

Gjokutaj argumenton se ky plan nuk siguron afrimin e qëndrueshëm drejt objektivit të 400 eurove dhe se shpërblen vetëm një minorancë, duke lënë shumicën me shtesa simbolike që nuk përballojnë rritjen e kostos së jetesës.

Në përfundim, teksa qeveria premton rritje graduale dhe transformuese të pensioneve deri në vitin 2029, të dhënat tregojnë se përfituesit më të mëdhenj janë më pak se një e treta e pensionistëve. Për pjesën dërrmuese, rritja mbetet modeste dhe larg objektivit të 400 eurove.

Ndaj Postimin: