Detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore u rritën ndjeshëm në shtator, edhe pse buxheti rezultoi me suficit për shkak të mosrealizimit të investimeve publike.
Detyrimet e prapambetura të qeverisë kanë shënuar rritje të dukshme në fund të tremujorit të tretë të vitit 2025. Të dhënat zyrtare tregojnë se në fund të shtatorit, detyrimet totale në nivel qendror dhe vendor arritën në 12.67 miliardë lekë, nga 9.93 miliardë lekë në qershor. Kjo nënkupton një rritje prej rreth 27.6% brenda vetëm tre muajve.
Pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve lidhet me qeverinë qendrore, e cila ka regjistruar një rritje të fortë të stokut. Nga 4.9 miliardë lekë në qershor, detyrimet u rritën në 7.3 miliardë lekë në shtator. Ky ndryshim përfaqëson një rritje prej 48.5% vetëm në këtë segment të administratës qendrore.
Rritjen më agresive e kanë prodhuar projektet e investimeve publike. Detyrimet e pashlyera për investime u rritën nga 1.8 miliardë lekë në 4.26 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 131%. Kjo është një dëshmi e vonesave në ekzekutimin e kontratave dhe pagesave për punimet e kryera në terren.
Rritje të ndjeshme janë regjistruar edhe në shpenzimet për mirëmbajtjen, me një zgjerim prej 72%, si dhe në shërbimet, ku rritja ka qenë mbi 30%. Në të njëjtën kohë, detyrimet për zbatimin e vendimeve gjyqësore janë rritur me 1.6%, ndërsa shumat për rimbursim të TVSH-së kanë mbetur të pandryshuara.
Ndërkohë, pushteti vendor ka ndjekur një drejtim të kundërt. Bashkitë kanë ulur gradualisht detyrimet e prapambetura, pas paralajmërimit të Ministrisë së Financave për të dorëzuar planet e shlyerjes dhe për të frenuar krijimin e borxheve të reja deri më 20 korrik. Disa prej njësive vendore kanë marrë masa korrigjuese dhe kanë reduktuar stokun total të borxheve.
Paradoksi më i madh që del nga të dhënat është fakti se detyrimet janë rritur në një periudhë kur buxheti i shtetit vijon të jetë me suficit. Kjo do të thotë që qeveria ka fonde të disponueshme, por nuk po i shpenzon ato me ritmin e duhur. Rritja e detyrimeve, kryesisht në zërin e investimeve, sinjalizon probleme të theksuara në menaxhimin e ekzekutimit buxhetor dhe disiplinën fiskale të institucioneve qëndrore.


