Rritja e deklaruesve të DIVA-s, 127 mijë individë të rinj në pesë vite

Numri i individëve të detyruar të plotësojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë pesë viteve të fundit, duke u shtuar me 127 mijë deklarues të rinj nga viti 2019 deri në 2024.

Kjo rritje ka ardhur si pasojë e ndryshimeve ligjore që kanë zgjeruar bazën e tatimpaguesve të detyruar të raportojnë të ardhurat e tyre.

Në vitin 2019, për herë të parë, në këtë deklaratë u përfshinë edhe individët e dypunësuar me të ardhura deri në 2 milionë lekë në vit. Më tej, në vitin 2020, ndryshimet ligjore detyruan të gjithë të dypunësuarit të plotësojnë DIVA-n, pavarësisht nivelit të të ardhurave. Si rezultat, numri i deklaruesve u rrit ndjeshëm, duke arritur në afro 39 mijë individë të rinj.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm u bë në vitin 2024, kur kufiri i të ardhurave për detyrimin e deklarimit u ul nga 2 milionë lekë në 1,2 milionë lekë në vit. Kjo masë pritet të sjellë një tjetër rritje të konsiderueshme të numrit të deklaruesve, duke e çuar totalin në 141 mijë individë deri në afatin e deklarimit, më 31 mars 2025.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2019, numri i individëve që plotësuan DIVA-n ishte vetëm 13,553, ndërsa në vitin 2023 ky numër u rrit në 74 mijë deklarues. Kjo rritje erdhi si pasojë e përfshirjes së dypunësuarve, të cilët përbënin 49,566 nga deklaruesit, ndërkohë që 24,224 individë kishin të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ndryshimet e fundit ligjore pritet të sjellin një zgjerim të mëtejshëm të bazës së deklaruesve, duke përfshirë edhe individë me të ardhura më të ulëta, të cilët më parë nuk kishin detyrim për të raportuar fitimet e tyre vjetore. Kjo synon një transparencë më të madhe fiskale dhe një kontroll më të rreptë mbi të ardhurat personale.

DIVA përfshin një gamë të gjerë të ardhurash, duke nisur nga pagat, fitimet nga qiratë, dividendët, të drejtat intelektuale, interesat bankare, transaksionet me pasuri të paluajtshme dhe fitimet kapitale nga investimet. Gjithashtu, në deklaratë përfshihen edhe të ardhurat nga lojërat e fatit, trashëgimia dhe aktivitetet jashtë territorit të Shqipërisë.

Me këtë rritje të ndjeshme të numrit të deklaruesve, autoritetet fiskale synojnë të forcojnë mbledhjen e të ardhurave dhe të minimizojnë shmangien fiskale. Procesi i deklarimit do të jetë kyç në strategjinë afatmesme të financave publike, duke ndihmuar në rritjen e disiplinës tatimore dhe përmirësimin e sistemit të administrimit të të ardhurave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera