Rritja e çmimit të naftës, Ibrahimaj: Monitorim ditor i tregut, Bordi i Transparencës rikthehet nëse situata përkeqësohet

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se çmimet e karburanteve po monitorohen në baza ditore nga një task-forcë e posaçme, me qëllim parandalimin e abuzimeve në treg.

Pas mbledhjes së qeverisë, ajo bëri të ditur se është zhvilluar një takim me kompanitë e tregtimit të hidrokarbureve dhe me Shoqatën e Hidrokarbureve, ku është diskutuar mbi rritjen e çmimeve gjatë javëve të fundit, e ndikuar nga situata e luftës.

Ministrja theksoi se institucionet po ndjekin nga afër si çmimet e bursës për naftën, benzinën dhe gazin, ashtu edhe çmimin me të cilin karburanti hyn në doganë dhe më pas shitet në treg, sipas tabelave të afishuara për konsumatorët. Ajo shtoi se është diskutuar edhe mbi detyrimin e kompanive për mbajtjen e rezervave.

Duke iu referuar përvojës së viteve 2022–2023, kur u ngrit Bordi i Transparencës për të monitoruar dhe vendosur mbi çmimet e shitjes gjatë krizës së karburanteve, Ibrahimaj u shpreh se aktualisht situata nuk është në nivelin që kërkon riaktivizimin e këtij mekanizmi. Megjithatë, ajo paralajmëroi se në rast të rritjes së mëtejshme të çmimeve, do të rikthehet ai regjim monitorimi dhe ndërhyrjeje.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033