Rritja e barrës tatimore për sektorin e IT, 15% tatim mbi fitimin

Nga viti 2026, kompanitë e teknologjisë do të paguajnë tatim fitimi 15%, duke humbur përfitimin fiskal prej 5% që gëzohej prej vitit 2019, dhe rritja pritet të ndikojë mijëra biznese të sektorit të IT.

Qeveria ka vendosur të ndryshojë skemën tatimore për sektorin e teknologjisë së informacionit duke e bërë atë më të ngarkuar financiarisht për sipërmarrjet. Përfitimi aktual i normës së reduktuar prej vetëm 5% për tatimin mbi fitimin do të përfundojë në fund të vitit 2025, raportojnë burimet pranë sektorit të IT pranë ministrisë së Financave.

Kjo politikë lehtësuese, e cila është zbatuar prej vitit 2019, u krijua për të nxitur zhvillimin e teknologjisë dhe për të mbështetur bizneset që prodhojnë dhe zhvillojnë software. Por pas 31 dhjetorit 2025, norma standarde 15% do të bëhet e vlefshme për të gjitha subjektet që operojnë në këtë fushë.

Në relacionin e projektbuxhetit theksohet se rikthimi i tatimit në nivelin e plotë pritet të sjellë rreth 523 milionë lekë të ardhura shtesë vetëm për vitin 2026. Ministria e Financave parashikon që nga tatimi mbi fitimin gjatë atij viti të mblidhen gjithsej 65.1 miliardë lekë.

Parashikimet mbështeten në disa faktorë të rëndësishëm fiskalë. Një pjesë e të ardhurave pritet të vijë nga përmirësimi i administrimit tatimor brenda zbatimit të strategjisë afatmesme të të ardhurave, ku llogariten rreth 3.3 miliardë lekë shtesë.

Gjithashtu, në arkë pritet të futen rreth 0.9 miliardë lekë nga zbatimi i ligjit të faljes, i cili synon ristrukturimin e detyrimeve të prapambetura të biznesit dhe individëve.

Një ndër elementet kryesore është pikërisht heqja e normës së reduktuar prej 5% për sektorin e IT, e cila konsiderohet një nga burimet më të prekshme të rritjes së të ardhurave tatimore për vitin 2026. Me kthimin në normën prej 15%, sipërmarrjet që operojnë në këtë treg do të trajtohen njësoj si bizneset e tjera që paguajnë tatim fitimi.

Sipas relacionit zyrtar, ky ndryshim vjen me synimin që struktura fiskale të jetë më e unifikuar, teksa qeveria pretendon se industria e teknologjisë tashmë ka fituar qëndrueshmëri dhe mund të përballojë këtë rritje tatimore pa humbur konkurrueshmërinë.

Ndërkohë, të dhënat e INSTAT-it tregojnë se deri në fund të vitit 2024, në Shqipëri ishin të regjistruara 3574 biznese me aktivitet në shërbimet e teknologjisë së informacionit dhe 556 sipërmarrje të tjera që vepronin në fushën e shërbimeve të informacionit.

Këto shifra tregojnë se sektori ka pasur rritje të dukshme ndër vite dhe është kthyer në një nga hallkat më dinamike të ekonomisë, veçanërisht për punësimin e të rinjve dhe profesionistëve të specializuar.

Megjithatë, ngritja e tatim-fitimit mund të sjellë efekte të ndryshme në praktikë. Disa aktorë të tregut shprehen skeptikë se kjo rritje do të ulë motivimin për investime të reja dhe mund të nxisë shpërnguljen e talenteve dhe sipërmarrjeve drejt vendeve me politika më lehtësuese.

Fakt mbetet se ky ndryshim do të hyjë në fuqi pikërisht më 1 janar 2026, duke shënuar fundin e një periudhe pesëvjeçare me përfitime fiskale të konsiderueshme për industrinë e teknologjisë në vend.

Ndaj Postimin: