Rritet tensioni në Ukrainë pas sulmeve ruse në Kiev dhe Kharkiv, viktima dhe dëme të shumta

Pesë të vrarë në Ukrainë, dhjetëra dronë rusë godasin kryeqytetin ukrainas, ndërsa Kievi paralajmëron intensifikim të kundërsulmeve

Ukraina u trondit sërish nga një tjetër sulm ajror masiv rus ndaj Kievit, që sipas autoriteteve ukrainase shkaktoi pesë viktima. Lajmi u konfirmua nga kreu i administratës ushtarake të qytetit, Tymur Tkachenko, i cili deklaroi se agresioni përfshinte disa valë dronësh armik.

Katër persona humbën jetën në lagjen Shevchenkivsky, ku një godinë shumëkatëshe u shkatërrua pjesërisht. Një tjetër viktimë u regjistrua në jug, në zonën e Bila Tserkva, sipas informacioneve nga Ministri i Brendshëm Igor Klymenko.

Ndërkohë, forcat ruse deklaruan se kanë marrë kontrollin e fshatit Petrivske në rajonin verilindor të Kharkivit. Sipas ushtrisë ukrainase, gjatë fundjavës Rusia përdori të paktën 47 dronë dhe lëshoi tre raketa ndaj territorit të saj.

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky, reagoi me forcë duke deklaruar se Ukraina nuk do të mbetet vetëm në mbrojtje. Ai tha se strategjia e re do të përfshijë më shumë sulme të drejtpërdrejta ndaj objektivave ruse, duke nënvizuar se kundërsulmet e fundit kanë qenë “efektive”.

Sipas tij, Ukraina do të vazhdojë të synojë objektiva ushtarake dhe infrastruktura strategjike brenda territorit rus. Kievi i konsideron këto goditje si përgjigje legjitime ndaj sulmeve të përsëritura ndaj civilëve dhe qendrave energjetike në Ukrainë.

Nga ana tjetër, Syrsky pranoi se Rusia ka një avantazh të dukshëm në luftën me dronë, sidomos në përdorimin e atyre të lidhur me fibra optike që janë më të vështirë për t’u neutralizuar nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Ai shtoi gjithashtu se forcat ukrainase ende kontrollojnë një sipërfaqe prej 90 kilometrash katrorë në rajonin rus të Kurskut, ku në gusht të vitit të kaluar, Kievi kreu një inkursion të guximshëm përtej kufirit. Deri më tani, përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të konfliktit kanë mbetur pezull, pa ndonjë bisedë të re të planifikuar mes palëve.

Ndaj Postimin: